Pamundësia e punësimit në Kosovë për të rinjtë dita-ditës po rritet.
E, kjo po bën që shumë të rinj të kërkojnë punë në shtete të tjera jashtë vendit. Një mundësi të mirë e ka ofruar edhe një kompani gjermane e cila merret me transport urban.
Është kjo kompania “TRANSDEV” e cila ofron kontratë pune për të gjithë të interesuarit. Kjo kompani e ka selinë e saj në Paris të Francës, ndërsa ka përfaqësi edhe në shumë shtete të botës.
Për t’u punësuar në këtë kompani kërkohet patentë shoferi i autobusëve dhe njohja elementare e gjuhës gjermane.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Alo edhe kryetari i Sindikatës së kësaj kompanie në qytetin Hagen të Gjermanisë, Hajdar Salihi.
Ai ka thënë se disa nga përfaqësuesit e kësaj kompanie këtë të diel do të vijnë në Kosovë ku edhe do të diskutojnë me disa persona të cilët kanë shprehur interesim për të punuar në Gjermani.
“Të dielën vijnë përfaqësuesit e kompanisë, ndërsa janë paraqitur dikund rreth 30 persona të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj kompanie”, ka thënë ai.
Të gjithë të interesuarit të cilët plotësojnë këto kushte mund të kontaktojnë me kryetarin e Sindikatës së kësaj kompanie për Gjermani Hajdar Salihi në këtë numër të tel. 045 948 870./Gazeta Alo/