250 gjoba mandatore të mjedisit janë shpërndarë në komunën e Ferizajt gjatë vitit 2019, njëherit kjo komunë mbetet komuna kampion për shpërndarjen e gjobave për ndotësit e ambientit në nivel të Kosovës.
Në debatin publik të mbajtur sot në Kuvendin komunal të Ferizajt Kryetari Agim Aliu përveç prezantimit të punës së komunës për vitin 2019 ai gjithashtu theksoi se komuna e Ferizajt mbetet kampion në shpërndarjen e gjobave mandatore për të gjithë ndotësit e ambientit.
“Ne jemi kampion në shpërndarjen e gjobave mandatore të mjedisit, janë 250 gjoba për ndotjen e ambientit që i kemi ndarë ne si komunë e Ferizajt, dua t’i falenderoj inspektorët e mjedisit sa i përket këtyre gjobave, si Kryetar i Komunës po kërkoj edhe publikisht nga Policia e Kosovës që të shfrytezojnë kompetencat e saja në këtë drejtim, pamvarësisht kësaj ne nuk kemi qenë hezitues që të shpërndajmë gjoba si komunë” tha Aliu
Edhe organizata “Let’s Do It” Kosova që ka bërë monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore thekson se Komuna e Ferizajt është prijetare në shqiptimin e gjobave mandatore ndaj ndotësve të mjedisit.
Sipas kësaj organizate gjatë muajit maj dhe qershor lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte për shpërndarjen e fletushkave në hapësirat e ndaluara, si dhe hedhja e mbeturinave në vende joadekuate.