Shteti po vazhdon tu nxjerrë probleme bizneseve. Pas mbylljes së lojërave të fatit në Kosovë, Komuna e Pejës ka revokuar të gjitha lejet për lokalet e natës me arsyetimin se po kanë probleme, shkruan Insajderi.
Gjatë javës kjo komunë ka mbyllur lokalet përfshirë edhe “Planet Club”, madje nuk u ka dhënë as të drejtë ankese ani pse kishin leje.
“Në bazë të konkluzioneve të nxjerra nga raportet e drejtorisë për Punë Inspektuese në bashkëpunim me policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Pejë, Komuna e Pejës më datën 13 maj 2019, ka nxjerrë vendim për anulimin e licencave të rregullta dhe atyre speciale për subjektet ‘lokalet e natës’.
Licenca anulohet duke u bazuar në raportet e vazhdueshme nga drejtoria për punë inspektuese për mos respektimin e orarit të punës sipas licencës së rregullt, raportet e njësive policore dhe sipas planit të veprimit në mes të Prokurorisë Themelore – Pejë, Policisë së Kosovës – Pejë dhe Drejtoratit për Punë Inspektuese me qëllim të parandalimit të veprimeve negative dhe të kundërligjshme në rajonin e Pejës, ka anuluar licencat e rregullta dhe speciale”, thuhet në njoftimin e siguruar nga Insajderi.
E gjithë kjo erdhi pas disa ditësh kur Policia e Kosovës realizoi një aksion afër katër orësh në dalje të Pejës. Gjatë këtij aksioni ishin mbyllur katër lokale të natës ndërsa ishte arrestuar një person. Policia e Kosovës po ashtu kishte bastisur një lokal dhe një shtëpi të dyshimtë në fshatin Vitromiricë.
E një ditë pas këtij aksioni Komuna e Pejës, mbajti mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve ku u morr vendim të revokohen të gjitha lejet e punës së këtyre klubeve, ku sipas tyre bëhet me qëllim parandalimin e veprimeve të kundërligjshme që po ndodhnin atje.
Ky vendim është marrë pa të drejtë ankese, ndërsa janë anuluar të gjitha lejet si ato të rregullta dhe speciale që vetë kjo komunë i kishte dhënë.