Sjellja e asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ku ai u pa duke demoluar pajisjet në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka shkaktuar reagime të ashpra.
Në reagimin e tij publik, Sveçla e arsyetoi veprimin duke deklaruar se kishte për qëllim pamundësimin e një seance “klandestine” që, sipas tij, do të dëmtonte qytetin dhe interesat e tij.
Ndaj këtij veprimi të Sveçlës ka reaguar Komuna e Prishtinës. Në një deklaratë zyrtare, ky veprim u cilësua si një “goditje brutale ndaj vlerave institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve”.
“Dënojmë ashpër dhe me indinjatë të thellë sjelljen e asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, i cili vandalizoi sallën e Kuvendit Komunal, duke përdhosur institucionin dhe duke sfiduar parimet bazë të demokracisë,” thuhet në reagimin zyrtar.
Komuna tutje thekson se ky nuk është incidenti i parë ku asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë akuzuar për bllokim të proceseve vendimmarrëse në Kuvendin Komunal.
https://fb.watch/wmGuP0MqI-/
“Prej muajsh, asamblistët e Vetëvendosjes kanë bllokuar çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve, përfshirë miratimin e buxhetit, duke krijuar ngërç institucional dhe duke penguar ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët,” theksohet në deklaratë.
Tutje në reagimin e Komunës së Prishtinës thuhet se Vetëvendosje sot e demaskoi veten, duke dëshmuar se qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë dhe mbetet: përdhosja e institucioneve dhe penalizimi i qytetarëve.
“Kjo sjellje është një akt i turpshëm që meriton dënimin e çdo qytetari dhe të çdo institucioni demokratik. Kërkojmë nga organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal, si për pengesën që iu bë përfaqësuesve në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese, ashtu edhe për dëmtimin e pronës publike. Institucionet nuk janë fushëbeteja të interesave të ngushta politike, por baza mbi të cilën qëndron mirëqenia e qytetarëve”, thuhet në reagim.
Komuna shton se veprime të tilla nuk janë vetëm të papranueshme, por edhe të rrezikshme për stabilitetin tonë si shoqëri demokratike.