Fjalë Kyçe

Komuna e Prishtinës paditet nga qytetari me aftësi të kufizuara

Komuna e Prishtinës paditet nga qytetari me aftësi të kufizuara

Udhëheqësi i zyrës së HANDIKOS-it në Prishtinë, Faruk Kukaj, në cilësinë e qytetarit të Prishtinës sot ka marrë pjesë në seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me rastin e padisë që e kishte ushtruar para dy vitesh ndaj komunës së Prishtinës për diskriminim në qasjen infrastrukturore.

Kukaj pas seancës ka deklaruar me këtë rast se ai dhe personat të tjerë me aftësi të kufizuara e kanë problem lëvizjen në kryeqytet dhe në institucione, qoftë publike apo private.

”E kam vështirë të qarkulloj dhe të marr shërbime në institucione. Pastaj ne jemi diskriminuar se s’po mund të marrim pjesë si të tjerët. Sot ishte seanca përgatitore dhe u dëgjua pala mbrojtëse. Unë jam optimist dhe do të luftoj për të drejtat e mia”, tha ai.

Drejtori i HANDIKOS-it Afrim Maliqi ka thënë se personat me aftësi të kufizuara në vazhdimësi janë të diskriminuar në lëvizje.

“Në bazë të ligjit, personat me aftësi të kufizuara janë të diskriminuar në lëvizje dhe komuna nuk ka bërë mjaft për ta sepse ka thënë që në rrugë do të bëjë lëvizjen e qasshme”, tha ai.

Ndërsa Besart Elshani nga zyra e Avokatit të Popullit tha se ky është rasti i parë kur një qytetar bënë një padi të kësaj natyre. Ai tha sa sot nga gjykata i është dhënë afat paditësit për përpilim të padisë dhe sjelljes së fakteve.

“Ne sot në këtë seancë jemi në cilësi të monitoruesit dhe nuk do të thotë që me kaq do të përfundojmë. Por, do të marrim edhe veprime tjera. Ne kemi disa raste mirëpo kemi reaguar në kuptimin e mandatit ligjor që kemi që është kompetencë shtesë. Nuk është caktuar seancë e ardhshme por afat ligjor prej tre ditësh. Kjo është padia e parë që ka të bëjë me diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara”, tha Elshani.

Jashtë ambienteve të Gjykatës pati edhe persona të tjerë me aftësi të kufizuara të cilët me parulla në duar kërkuan të drejtat e tyre.

Pjesëmarrës në seancë, si përfaqësues nga komuna e Prishtinës ishte avokati Jeton Idrizi.