Fjalë Kyçe

Komuna e Prishtinës s’do të marrë në menaxhim stadiumin “Fadil Vokrri” pa iu bërë pranimi teknik

Komuna e Prishtinës s’do të marrë në menaxhim stadiumin “Fadil Vokrri” pa iu bërë pranimi teknik

Fitim Rexha, drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se Komuna nuk do të marrë në menaxhim stadiumin “Fadil Vokrri” pa u bërë pranimi i tij teknik.

Ai tutje ka thënë se Komuna ka bërë thirrje tek ministritë relevante që t’i kryejnë procedurat në mënyrë që pranimi teknik të bëhet sa më shpejt që është e mundur.

Rexha, në emisionin “038” në KTV, ka thënë se nuk beson që këto vonesa po bëhen qëllimshëm derisa ka bërë të ditur se Ministria e Kulturës i ka bërë gati materialet e nevojshme.

“Ne jemi duke theksuar vazhdimisht që pranimi teknik i stadiumit nuk është bërë dhe pa pranim teknik Komuna nuk mund ta marrë në menaxhim këtë stadium. Ne kemi bërë thirrje tek ministritë relevante që stadiumi i Prishtinës t’i përmbushë kriteret. Unë dyshoj që bëhet qëllimshëm por janë procedura të vonuara, MKRS ka përgatitur materialet e nevojshme”, ka thënë ai, raporton Koha.net.

Ndërkaq lidhur me lokalet afër këtij stadiumi, ai ka thënë se komuna do të formojë një komision përmes të cilit do të vlerësohet se kujt do t’i jepen.

“Ne si komunë do të krijojmë një komision që do të bëjë të gjitha analizat dhe të vendosim se kujt do t’i jepen. Do të ketë komision ose konkurs”, është shprehur ai.

Rexha ka thënë se kjo drejtori ka ndarë buxhet prej 600 mijë eurosh të cilat do t’u dhurohen klubeve të sportit dhe të rinjve në formë të subvencioneve.

“Buxheti për rini dhe sport është dyfishuar. Janë 600 mijë euro që planifikohet t’u jepen klubeve sportive dhe rinisë. Këtë vit do të merremi me këto subvencione dhe do të merremi me fazën e projektimit, është një fushë sportive në pjesën e Arbërisë, një në Lakrishtë dhe një në Breg të Diellit, dhe pesë kënde të lodrave në lagje të ndryshme”, ka thënë ai.

Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës ndër të tjera ka njoftuar edhe për aktivitetet që do të mbahen të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Ditën Ndërkombëtare të Sportit.

Ai ka thënë se nesër nga ora 10:00 në këtë stadium do të dhurohet gjak.

“Dhurimi i gjakut do të bëhet për nder të kësaj dite, gjithashtu edhe për nder të legjendës së futbollit Fadil Vokrri, ku janë të ftuara klubet e Prishtinës por edhe qytetarë vullnetarë”, ka thënë ai.