Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës i ka ftuar organizatat joqeveritare që të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet me karakter kulturor, profesional, stimulus, kritik, inovativ e të tjerë.
Në njoftimin e lëshuar nga Komuna e Mitrovicës, bëhet e ditur se organizatat joqeveritare në përputhje me këtë ftesë publike mund të aplikojnë me projektet e tyre për promovimin e kulturës në fushën e muzikës, teatrit, arteve vizuele, industri kreative, diplomaci kulturore e të tjerë, shkruan Telegrafi.
“Vlera totale e planifikuar e ftesës për Lot 1 është 50 mijë euro. Vlera totale e planifikuar e ftesës për Lot 2 është 20 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.
Bëhet e ditur se afati për dorëzimin e propozimeve është 15 ditë dhe përfundon më 26 korrik të këtij viti.