Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Myhater Haskuka dhe tre ish-deputetëve, Enver Hoti, Shqipe Pantina dhe Teuta Haxhiu.
Lajmin e ka konfirmuar zyrtarja për informim e kësaj gjykate Mirlinda Gashi.
Ata akuzohen se në shkurt të 2016-ës, kishin hedhur gaz lotsjellës, me ç‘rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se të njëjtit akuzohen se secili veç e veç i kanë kryer veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Sipas përgjigjes së gjykatës thuhet se, më 25 maj 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Enver Hoti, avokati Haxhi Millaku për shkak të veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Duke vendosur lidhur me kërkesën për kundërshtim të provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit E.H, avokat H.M dhe pas pranimit të përgjigjes nga Prokurori i Shtetit në kërkesën për kundërshtimin e provave dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës, jashtë seancës, me datë 25.05.2022, mori Aktvendim dhe refuzohet kërkesa për kundërshtimin e provave dhe kërkesa për hudhjen e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë numër PP.II.nr.102/16 të datës 20.04.2016, e parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit E.H, avokat H.M, për shkak të veprës penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.1 të KPRK-së, si e pabazuar” thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Ndërsa, sipas këtij vendimi hudhet poshtë akuza dhe pushohet procedura penale ndaj të akuzuarve për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
Ndryshe, në këtë rast sipas aktakuzës, i akuzuar është edhe Rexhep Selimi, mirëpo në seancën fillestare të mbajtur më 11 shkurt 2022, gjykata me qëllim të efikasitetit dhe ekonomizimit të procedurës penale në këtë seancë ka bërë veçimin e procedurës për të njëjtin.
Në aktakuzën e përpiluar më 15 prill 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se Enver Hoti, Shqipte Pantina, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Rexhep Selimi akuzohen se më 19 shkurt 2016, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa autorizim kanë përdorur armë me qëllim të ndërprerjes se punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës.
Aktakuza thotë se gjatë rrjedhjes së seancës, në vendet ku ishin të ulur, kanë aktivizuar gazin lotsjellës dhe nga tymi i përhapur është pamundësuar mbajtja e rregullt e seancës, me ç ‘rast është ndërprerë puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me këtë, Hoti, Pantina, Haskuka, Haxhiu dhe Selimi secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi