Fjalë Kyçe

Kontratat njëburimore përplasin pushtetin me opozitën, akuza për “korrupsion masiv”

Kontratat njëburimore përplasin pushtetin me opozitën, akuza për “korrupsion masiv”

Me përplasje të ashpra ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për kontratat njëburimore.

Opozita ka kërkuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me këto kontrata. Ata kanë akuzuar Qeverinë për “korrupsion masiv” përmes këtyre kontratave që sipas opozitës u përfunduan tek “dostat e pushtetit”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se ka arsye të mjaftueshme që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision hetimor parlamentar për kontratat njëburimore.

Ai ka thënë se janë rreth 220 kontrata njëburimore në vlerë 153 milionë euro që janë nënshkruar në vitet 2022-2023.

“Ato që kanë qenë problematike gjatë Qeverisë Kurti janë dy lloj kontratash që janë burim korrupsioni. Kur flasim për kontratat sekret ne nuk dimë çka ka ndodhur, nuk e dimë as vlerën e tyre as llojin e produkteve këtu përfshihen edhe vaksinat anti-covid. Nëse i shohim kontratat një burimore nga një hulumtim i Partisë Demokratike që është bërë në 7 institucione del që vlera totale për 2022 e 2023 është 153 milionë. Në total për dy vjet kapin shumë 153 milionë 220 kontrata”, tha Tahiri.

Ai shtoi Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar 87 kontrata në vlerë rreth 102 milionë euro, pa e përfshirë vitin 2021. Madje Tahiri KEK-un e quajti Korporata Kriminale e Kosovës.

“MKRS , nuk e di ka kanë dalë këto 36 kontrata njëburimore në vlerë 2.4 milionë euro. MSH pa i përfshirë vaksinat, i kemi 4 milionë euro për kontrata ku janë 6 kontrata në vitin 2022-2023.Pastaj e kemi MASHTI- ku janë 19 milionë euro në 30 kontrata. E kemi Ministrinë e Punëve të Brendshme që i ka 21 milionë e 495 mijë e 694 euro, 20 kontrata. Ministrinë e Industrisë me 5 kontrata në vlerë 138 mijë euro, dhe Ministria e Infrastrukturës – 32 kontrata 4.3 milionë euro në këto dy vite”, tha Tahiri.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se 1 mijë e 805 kontrata një burimore janë dhënë nën qeverisjen e Vetëvendosjes. Nga këto kontrata, Gashi tha se kanë përfituar njerëzit e afërt me pushtetin.

“1 mijë e 805 kontrata jon ba në këtë vend nën qeverisjen tuaj me prokurim të drejtpërdrejtë nën qeverisjen tuaj. Ne sot këtu po flasim për sistemin që e keni ndërtu ju, sistemi i juaj i qeverisjes është paaftësi në vitin e parë dhe gjysmën e vitit të dytë të qeverisjes duke nda vetëm skema sociale, korrupsion masiv pasi i keni kapë të gjitha institucionet me 1 mijë e 800 kontrata njëburimore, i keni thirrë dostat e juaj dhe ju keni thanë merrni 10 milionë e 20 milionë e kryeni ndonjë punë e përfitoni. Jemi tu folë për nivelin qendror të prokurimit publik që e keni ba ju, korrupsionin masiv në institucionet që ju kontrolloni”, tha Gashi në seancën e Kuvendit.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se kurrë s’ka ndodhur që një qeveri të ketë më shumë kontrata njëburimore sesa Qeveria Kurti.

Duke folur për Lëvizjen Vetëvendosje, Zemaj tha se po “dëshmohen që janë hajna të pangopur”.

“Që s’po e mbani edhe një premtim të dhënë s’e kam dert shumë as unë as LDK, sepse tash po ju njohim për mashtrues. Por problemin e kemi me faktin se ju po dëshmoheni se jeni edhe hajna të pangopur. E këtu përtej mashtrimit me kauza të rreme, kjo po ju kushton qytetarëve me miliona euro të keqpërdorura në tri vitet që ju jeni në pushtet përmes aranzhimeve personale, grupore e shoqërore, duke u dhënë tender pa procedurë të hapur, duke eliminuar konkurrencën, duke përjashtuar frymën e ekonomisë së tregut të lirë, në kurriz të cilësisë së mirë e të shërbimeve të mira. Krejt kjo po e shpërfaq pangopësinë e një kaste politike që në pushtet erdhën për t’u pasuruar. Shpejt e errët e duke u munduar t’i fshehni edhe gjërat, dita-ditës po ju dalin në shesh edhe prapë të tjerat do t’ju dalin në shesh”, tha Zemaj.

“Vlera e kontratave në tri vitet të fundit, ngoni hajna se është e dhimbshme por duhet ta dëgjoni, 240 milionë për të gjitha organizatat buxhetore, 544 ankesa te ankes-kontrata, vlera vetëm për 2023 116 milionë, vetëm për vitin 2022 75 milionë, për vitin 2021 51 milionë”, tha Zemaj.

Kritikave të opozitës iu përgjigj Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ministri Aliu ka kërkuar që seanca për këtë çështje të shtyhet në një ditë tjetër kur të mblidhet i gjithë kabineti qeveritar aty.

Ai shtoi se në vitin 2021 është vetëm 1 kontratë njëburimore në MMPHI.

“Për kontrata njëburimore më keni thirr mua, s’po e kuptoj pse. Po të ish ditë me kohë që do të më thirrni dhe të flisni edhe për kontrata tjera, do e kishim thirr qeverinë komplet dhe këtu do të kishte qenë edhe Ministrja e Ekonomisë, edhe Ministria e Drejtësisë, edhe Ministrja e Arsmit dhe Ministri i Kulturës, të gjithë do të përgjigjeshin. Ju po folni këtu për ta, e po duhet unë me u përgjigj për ta e unë s’kam haber për atë punë. Unë mundem me u përgjigj për pjesën tem, e kur po vjen puna me më përmend mu, ju s’me përmendi se skeni për cka”, ka thënë Aliu.

“Unë s’mund të përgjigjem për ta. Unë i kam 0.8 përqind”, ka deklaruar tutje ai.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është duke vazhduar.