Fjalë Kyçe

Koronavirusi në Itali, katër ditë rënie të të prekurve

Koronavirusi në Itali, katër ditë rënie të të prekurve

Për të katërtën ditë radhazi, numri i rasteve të koronavirusit në Itali është në rënie. 3491 ishin të prekurit e 24 orëve të kaluara.

Një ditë më parë shifra ishte 3612. Ka rënë ndërkohë sipas zyrtarëve edhe numri i viktimave, por sidoqoftë ai mbetet akoma shumë i lartë. 683 në 24 orët e shkuara ndërsa të martën u regjistruan 743 viktima. Në total, bilanci i viktimave në

Itali ka shkuar në 7503 persona. Por, ndërkohë, është shtuar edhe numri i të shëruarve dhe kjo përbën një lajm ngushëllues: në një ditë janë shëruar plot 1036 persona, duke e çuar totalin në 9362.

Që nga fillimi i epidemisë, totali i të prekurve, mes rasteve aktuale pozitive, viktimave dhe të shëruarve, është 74386. Ka qenë numri dy i mbrojtjes civile italiane ai që prezantoi bilancin më të fundit, pasditen e të mërkurës, pasi Angelo Borreli, kreu i tyre, ishte larguar në mëngjes nga selia e departamentit për shkak të temperaturës. Në një moment të parë u deklarua pezullimi i takimit të përditshëm, por më pas u vendos të vijohej me informimin e përditshëm.

Borrelli në fakt kishte prezantuar simptoma por mëngjesin e sotëm u bë e ditur se ai kishte rezultuar negativ për koronavirusin. Por në anën tjetër, tre mjekë në Bergamo, kanë humbur jetën si pasojë e epidemisë së Covid 19 duke e çuar numrin total të viktimave, mes bluzave të bardha, në 36.