Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka folur për marrëveshjen përfundimtare që mund të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se disa njerëz kanë keqkuptuar që SHBA-ja ka shtyrë për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit. Eprorët e mi në Uashington janë përpjekur që ta sqarojnë se jemi të interesuar një marrëveshje të negociuar në mirëbesim nga të dy palët”, ka thënë Kosnett për RTK.
“ShBA-ja nuk ka ndonjë paragjykim se çka mund të përfshijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse nga dialogu. Mund të jetë që të dy palët të vendosin – sinqerisht në mirëbesim – për të bërë një rregullim të kufirit. Ata mund të vendosin që të mos e bëjnë këtë, dhe më besoni se i kuptoj shqetësimet e thella, arsyet historike, se pse rregullimi i kufirit është shumë i ndërlikuar”, është shprehur ai.
“Sërish, dëshiroj ta theksoj se qeveria ime nuk po shtyn për këtë gjë. Jo domosdoshmërisht e shohim këtë si çelës të dialogut. Mendoj se një pjesë e madhe e diskutimit në dialog është përqendruar në këtë. Mendoj se diskutimi për kufirin është vetëm një aspekt i një game të gjerë të diskutimeve që duhet të mbahen ndërmjet dy vendeve, që gjithashtu duhet të prekë bashkëpunimin ekonomik, sigurinë, kulturën, edukimin, drejtësinë, sidomos drejtësinë – një gamë të gjerë të çështjeve për të cilat duhet të flasin të dy qeveritë dhe është me rëndësi që të mos mbërthehen vetëm në një aspekt të problemit”, ka thënë Kosnett.
“Pra, jemi përpjekur ta bëjmë të qartë se nuk kemi paragjykime. Nuk po themi që çështje të caktuara nuk do të duhej të diskutoheshin dhe nuk po themi se kërkohen rezultate të caktuara. Serbia dhe Kosova janë partnerët negociatorë. Ato janë dy vende sovrane, të pavarura. Ne gjithmonë do ta mbështesim Kosovën. Me: “Do ta mbështesim Kosovën”, nuk mendoj se do të pajtohemi verbërisht për çdo ide që vjen nga qeveria në Prishtinë”, ka shtuar ai.
“Por, do ta mbështesim Kosovën në përpjekje për të vënë paqe, prosperitet, drejtësi në vend dhe në rajon. Ne nuk i shohim këto qëllime si kundërthënëse të qëllimit më të gjerë – të dëshirës së të njëjtave gjëra për vendet e tjera në rajon. Mendoj se është me rëndësi të theksojmë se jemi të gatshëm për ti mbështetur palët për të ardhur te një përmbyllje e qëndrueshme, e levërdishme për të dy palët, por nuk jemi ne duke e shkruar skenarin”, ka theksuar ambasadori.