Fjalë Kyçe

Kosova debutoi në kampionatin botëror të kërlingut

Kosova debutoi në kampionatin botëror të kërlingut

Kombëtarja e Kosovës në kërling ka debutuar në kampionatin botëror që po mbahet në Stavanger të Norvegjisë, shkruan Gazeta Alo.

E formuar vetëm muaj më parë, garuesit tanë po garojnë të barabartë me shtetet tjera.

Kosova ndodhet në një grup me Rusinë, Spanjën, Greqinë, Slloveninë, SHBA-të, Letoninë dhe Poloninë.

Ekipin tonë po e përfaqësojnë dyshja mikse, Peter Andersen dhe Eldena Dakaj. Trajner është Meriton Zeneli.
Pedersen është me prejardhje nga Kanada, ndërsa prej vitesh jeton në Kosovë. Ai është më meritori për sjelljen e këtij sporti në Kosovë.

“Kurrë nuk e kisha imagjinuar se një ditë do të kem mundësinë të luaj për një shtet që nuk ka ekzistuar, derisa unë u bëra 15-vjeçar”, thekson Pedersen për portalin kanadez “cbc.ca”. “Por, është absolutisht mahnitëse dhe unë jam i ngazëllyer që kam mundësinë të luaj”, shton ai.

Kosova në ditën e parë u takua me fuqinë e këtij sporti, Rusinë, nga e cila pësoi 11:1, ndërsa sot ekipi ynë u mund 8:3 nga Sllovenia, duke përmirësuar dukshëm paraqitjen.

Federata e Kërlingut e Kosovës është anëtarësuar në vitin 2013 në Federatën Ndërkombëtare te Kërlingut (WCF). Kryetar i saj është presidenti i KOK-ut, Besim Hasani.

Sporti i kërlingut disa herë është promovuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës përmes aktiviteteve të ndryshme, me qëllim të promovimit të këtij sporti, derisa të krijohet infrastruktura përkatëse!

“Promovimet janë bërë për Ditën Olimpike, për 6 Prillin, e sidomos në Festivalin Olimpik PyeongChang 2018, ku mbi 4000 fëmijë praktikuan kërlingun e midis tyre edhe Olimpistja Majlinda Kelmendi. Dhe, pas gjithë këtyre, erdhi dita kur ekipi i Kosovës në kërling të marrë pjesë në kampionatin botëror dhe kjo më bënë të lumtur”, thekson për “noc-kosovo.org”, Besim Hasani, kryetar i Federatës së Kërlingut të Kosovës. /Gazeta Alo.