Fjalë Kyçe

Kosova dhe Bosnjë Hercegovina me prioritete të përbashkëta strategjike të politikës së jashtme

Kosova dhe Bosnjë Hercegovina me prioritete të përbashkëta strategjike të politikës së jashtme

Kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljko Komsiq i ka dërguar telegram urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se kryetari i Presidencës së Bosnjë Hercegovinës në urimin e tij ka shprehur gëzimin e tij me avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Të inkurajuar dhe të gëzuar me avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve mike, jemi të bindur që rruga e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe çdo lloj tjetër bashkëpunimi, sikur dhe e marrëdhënieve miqësore mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës, në të ardhmen e afërt, do të ketë rëndësi të posaçme për qytetarët e shteteve tona”, thuhet në telegramin e kryetarit Komsiq.

Tutje, bëhet e ditur se në telegram, Komsiq thekson se Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Kosovës i ndajnë prioritetet e tyre të përbashkëta strategjike të politikës së jashtme, siç janë anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Vetëm së bashku dhe në bashkëpunim me partnerët që i ndajnë vlerat e njëjta mund ta arrijmë qëllimin tonë”, thuhet në fund të telegramit.