Fjalë Kyçe

Kosova, e gatshme për kualifikimet në Prishtinë

Kosova, e gatshme për kualifikimet në Prishtinë

Prej të enjtes e deri të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë zhvillohet turneu i Grupit A të fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022” në konkurrencë të femrave. Në Grupin A bëjnë pjesë Portugalia, Kosova, Luksemburgu dhe Qipro. Vetëm fituesi i grupit avancon në fazën e dytë kualifikuese, përkatësisht në kualifikimet e rregullta, aty ku Kombëtarja jonë ishte më herët.

Federata e Hendbollit e Kosovës ka punuar shumë që të marr të drejtën e organizimit të këtij turneu, me synim që vajzat tona të jenë në situatë më të favorshme për të fituar grupin dhe për të avancuar tutje. Ky është synimi, por që nuk do të jetë lehtë, njofton Federata e Hendbollit të Kosovës.


Edhe tri kombëtaret tjera, sidomos Portugalia, kanë synime të mëdha nga ndeshjet në Prishtinë. Hendbollistet e Kosovës janë stërvitur për një javë në arenën ku do të luhen takimet. Ndeshja e parë është ajo në mes të Portugalisë dhe Luksemburgut, që zhvillohet të enjten nga ora 17:00.

Ndërsa prej orës 19:30, Kosova takohet me Qipron, përcjell Gazeta Express. Të premten Kombëtarja jonë luan me Luksemburgun, ndërsa të shtunën me Portugalinë, që ishte në vazon e parë në short. Te Kosova janë të vetëdijshëm për pritshmëritë për të bërë hapin para, por edhe për nivelin e kundërshtarëve.

Gjatë fazës përgatitore është bërë punë e mirë dhe ekipi është gati. Kombëtaret i mungojnë lojtare të rëndësishme si Leonora Demaj, Albana Arifi, Kristina Ukaj, Shkurta Mehmeti, Sara e Rina Rexhepi e disa të tjera. Por te Kosova ka disa emra të rinj e cilësor, si Njoma Zogaj, ndërsa janë kthyer pas një kohe lojtare me peshë si Pashke Marku.

Me grupin e lojtarëve në dispozicion, Kosova do ta japë më të mirën me synim për ta fituar grupin. Por fillimisht fokusi është te ndeshja e parë me Qipron, që do të mundohet të bëj paraqitje të mirë në Prishtinë.