Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes miqësore kundër Danimarkës, që zhvillohet nesërmbrëma në orën 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shkruan Gazeta Alo.
Edhe gjatë stërvitjes së sotme djelmoshat tanë kanë punuar me përkushtim derisa kanë marrë udhëzimet e fundit në fushë nga përzgjedhësi Bernard Challandes para kësaj ndeshje, e cila do të jetë një test shumë i rëndësishëm për ta parë forcën reale të ekipit para ndeshjes kualifikuese me Bullgarinë.
Në seancën e sotme veçmas nga pjesa tjetër kanë stërvitur Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli, të cilët vetëm kanë bërë vrapime të lehta.
Derisa për Kryeziun përzgjedhësi Challandes ka thënë se nuk do të rrezikojnë ta inkuadrojnë kundër Danimarkës, duke e ruajtur për ndeshjen kualifikuese me bullgarët, Kololli pritet të jetë i gatshëm për lojë edhe për ndeshjen e nesërme.
Edhe në seancën e sotme nga afër djelmoshat tanë i kanë ndjekur presidenti Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri, derisa është vërejtur numër i madh i mediave si vendore, ashtu edhe atyre të huaja.
Në konferencën për media, Challandes ka thënë se Kosova kishte nevojë në këtë moment për një kundërshtar të fortë për ta parë forcën e skuadrës para duelit tejet të rëndësishëm kundër Bullgarisë.
“Po e fillojmë një garë të re. Kemi pasur sukses në Ligën e Kombeve, por tash është tregim tjetër. Jemi në një grup me pesë ekipe dhe kemi mundësinë të luajmë dy miqësore. Miqësore nuk është fjalë e mirë por për ne është e nevojshme të luajmë me kundërshtarë të fortë dhe Danimarka është ndër kombëtaret më të mira në botë. Do të jetë një test shumë i mirë për ne, pasi do të fitojmë edhe përvojë”, ka theksuar Challandes.
Ndërkaq, qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, ka vlerësuar lartë Danimarkën, por ka thënë se do të japin më të mirën e tyre në këtë ndeshje.
“Danimarka është ekip shumë i fortë. Kjo është një ndeshje krejt ndryshe prej atyre të Ligës së Kombeve. Barra nuk bie vetëm mbi mbrojtjen, por është test për gjithë ekipin dhe duhet ta kalojmë së bashku si ekip. Të luash kundër danezëve është sikur të luash kundër Anglisë, prandaj duhet të jemi kompakt dhe të fokusohemi në kundërsulme”, është shprehur Rrahmani./Gazeta Alo