Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hulumtim, sipas detyrës zyrtare, për gjendjen e lypsarëve në rrugët e Kosovës.
Duke tentuar të gjejë shkaktarët dhe të ofrojë zgjidhje për këtë, ky organ megjithatë paralajmëron se institucionet e Kosovës nuk kanë të dhëna të sakta për këtë dukuri.
Megjithëse, raporti është ende draft, por në fazë finale, janë dy arsye që i bëjnë fëmijët të kërkojnë lëmoshë.
Gjatë këtij hulumtimi, institucioni i Avokatit të Popullit ka identifikuar se shumë nga këta persona që janë në rrugë të Kosovës, vijnë nga Shqipëria.
Gjithashtu, ky institucion i ka propozuar Kuvendit të Kosovës, të ndryshojë legjislacionin në fuqi, duke kërkuar që nga 5 vjet sa është tani, të rritet në 18 mosha e fëmijëve që përfitojnë nga skema sociale.
Sipas tyre, shkaku i kushteve të rënda, familjet vendosin të shtohen që të përfitojnë nga pensioni i shtetit, e që pastaj vetëm ua komplikon edhe më shumë situatën.
Policia e Kosovës ka identifikuar raste kur vetë prindërit detyrojnë fëmijët të kërkojnë lëmoshë ose kryejnë punë të tjera të ndaluara.
Zyra për Media e këtij institucioni, ka konfirmuar për KTV-në se vetëm gjatë 2018-s kanë bërë 31 kallëzime penale në Prokurori dhe kanë identifikuar 58 fëmijë.
Ata janë viktima të veprës penale – keqtrajtim apo braktisje e fëmijës dhe prindërit e tyre kanë qenë të dyshuar për këtë vepër penale.