Fjalë Kyçe

Kosova e Ukraina luajnë në “Fadil Vokrri”

Kosova e Ukraina luajnë në “Fadil Vokrri”

Futbollistet e Kosovës do të luajnë të premten ndaj Ukrainës në fushën e renovuar të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja u takon kualifikimeve për “Euro 2025”.

Fusha e stadiumit në Prishtinë, që është i vetmi në vend që i plotëson të gjitha kriteret për ndeshje ndërkombëtare, ishte në rinovim për një kohë të gjatë.

Nuk ka pasur ndeshje në “Fadil Vokrri” qëkur Kosova ishte mposhtur nga Bjellorusia në kualifikimet për “Euro 2024”, më 21 nëntor të vitit të kaluar. Por, stadiumi do të jetë gati për duelin e radhës që futbollistet e Kosovës do ta zhvillojnë në kuadër të Grupit 4 të Ligës B të Ligës së Kombeve.

Kosova e drejtuar nga selektorja suedeze, Karin Anneli Andersen, ka pësuar katër disfata në ndeshjet e para. Pra, është jashtë garës.

2:0 futbollistet e Kosovës pësuan nga Ukraina në udhëtim, përkatësisht në Antalya të Turqisë. 6:0 humbën në “Zahir Pajaziti” në Podujevë nga Uellsi, ndërsa në po të njëjtin stadium Kosova ishte mposhtur nga Kroacia, 1:0. Kroacia fitoi ndaj Kosovës edhe në ndeshjen kthyese, më 4 qershor, me rezultatin 2:0.

Ndeshja Kosova – Ukraina nis në orën 18:00, kurse selektorja Andersen pret rezultat pozitiv.

“Në këtë divizion ka vetëm ekipe të mira dhe secila prej tyre ka stilin dhe taktikën e vet, ashtu si edhe ne. Kemi bërë mirë, por nuk jemi mjaftueshëm mirë për të fituar ndeshjet siç bëmë vitin e kaluar. Kështu që po përpiqemi të përmirësojmë veten dhe të punojmë me ekipin tonë. Kemi analizuar ekipin kundërshtar. Të gjitha ekipet, Kroacia, Ukraina dhe Uellsi, duan të fitojnë grupin dhe do të vijnë shumë të përgatitura. Ne do të përpiqemi të japim më të mirën dhe të luajmë çdo pjesë të lojës”, ka deklaruar Andersen për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Rezultat pozitiv synon edhe mesfushorja Blerta Smaili.

“Atmosfera është shumë e mirë. E dimë se çfarë ndeshje na pret. Jemi shumë të koncentruara në punë së bashku, për ta bërë maksimumin. Kemi pasur kohë për t’i analizuar kundërshtaret, kemi stërvitur aspektin taktik ku kemi pasur nevojë. Besoj se jemi përgatitur mirë”, ka deklaruar Smaili.

Ndeshjen e fundit të këtij cikli kualifikues Kosova e luan në udhëtim tek Uellsi, më 16 korrik.

Aktualisht ndeshjet e klubeve të futbollistëve në kupat evropiane po zhvillohen në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ky stadium është pranuar po ashtu për ndeshje ndërkombëtare, ndonëse vlerësohet se nuk i plotëson të gjitha kërkesat.