Fjalë Kyçe

Kosova mbase mund ta kthej vendimin për ta hapur Ambasadën në Jerusalem

Kosova mbase mund ta kthej vendimin për ta hapur Ambasadën në Jerusalem

Pas presionit nga ana e Turqisë, Kosova mund ta rikthej vendimin për ta hapur Ambasadën e saj në Jeruzalem.

Kështu shkruan gazeta më e madhe izraelite Haaretz, duke shtuar se, Albin Kurti e ka gjetur veten në një pozitë të vështirë diplomatike përpara marrjes së postit të kryeministrit, pas vendosjes së lidhjeve diplomatike me Izraelin.

“Të hënën, Kurti u takua me ambasadorin turk në Prishtinë dhe vendimi i Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem ishte njëra nga temat e diskutimit. Vendi ku do të vendoset Ambasada do të rishqyrtohet pas rishikimit të dokumenteve të qeverisë në largim”, shkruan media izraelite, përcjell Telegrafi.

Më 1 shkurt, Kosova zyrtarisht ka lidhur marrëdhënie diplomatike me Izraelin, ku është vendosur që të hapet Ambasadën në Jerusalem duke u bërë shteti i parë evropian me shumicë myslimane që merr këtë vendim duke ndjekur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Guatemalën që kanë vendosur gjithashtu të zhvendosin ambasadat e tyre nga Tel Avivi.

Vendimi i Kosovës u mor kur kryeministri në detyrë Avdullah Hoti së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, nën prezencën e ish-presidentit amerikan Donald Trump më 4 shtator 2020 kishin nënshkruar marrëveshjen ekonomike në Shtëpi të Bardhë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kishte paralajmëruar Kosovën se një lëvizje e tillë në të ardhmen mund t’i dëmtojë marrëdhëniet me shtetin e tij.

“Unë besoj se do të ishte një përfitim për të mënjanuar një lëvizje të tillë që do t’i shkaktonte dëm të madh Kosovës”, kishte thënë Erdogan.

Ndërsa, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte shkruar se, “unë i kushtoj shumë rëndësi vendimit të Kosovës për të hapur Ambasadën e saj në Jeruzalem dhe iu pres në Izrael për inaugurimin e saj”.

Kujtojmë se, javën e kaluar, Kosova ka dërguar ambasadoren e saj në Izrael.