Fjalë Kyçe

Kosova me një bartëse të parë e një bartëse të dytë në Grand Slamin e Budapestit

Kosova me një bartëse të parë e një bartëse të dytë në Grand Slamin e Budapestit

Gjithsej 409 xhudistë nga 61 vende do të garojnë në Grand Slamin e xhudos në Budapest, që fillon të premten dhe përfundon të dielën. Është gara e parë që nga muaji shkurt e Turit Botëror të Xhudos, një seri ngjarjesh kulmore në sportin e xhudos. Gara organizohet në rrethana të reja, me kujdes të shtuar për të përballur situatën me koronavirus. Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka marrë të gjitha masat që gara të ketë ecurinë e duhur dhe kështu të hapet rrugë për ngjarje tjerë të xhudos, sport në të cilin Kosova ka kohë që shkëlqen.

Shtatë xhudistë kosovarë do të garojnë në Budapest. Disa prej tyre janë pretendent për medalje. Distria Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri 48 kilogramë dhe rrjedhimisht edhe favoritja kryesore. Krasniqi ka shfaqur formë të lartë në javët e fundit në stërvitje dhe pritjet janë për medalje prej saj.

Distria garon të premten, njëjtë si Nora Gjakova, Flaka Loxha dhe japonezi i natyralizuar, Shigeki Nakamura. Shumë pritet edhe prej Nora Gjakovës, bartëses së dytë në kategorinë deri 57 kilogramë. Ajo ka kohë që është top-xhudiste botërore dhe ka pasur vit të suksesshëm sa i takon përgatitjeve. Loxha nuk është bartëse në kategorinë deri 57 kilogramë e as Nakamura në kategorinë deri 66 kilogramë.

Të shtunën garojnë Laura Fazliu e Akil Gjakova, një tjetër adut i Kosovës. Laura nuk është bartëse kurse Akili është bartësi i shtatë në kategorinë deri 73 kilogramë.

Medalistja botërore, Loriana Kuka garon të dielën në kategorinë deri 78 kilogramë. Është bartësja e katërt dhe pretendene e madhe për medalje.

Për Akil Gjakovën shorti nuk ishte i mirë. Ai në luftën e parë përballet me gjeorgjianin Lasha Shavdatuashvili, kampion olimpik nga Londra 2012 dhe fitues e medaljes së bronztë në Rio 2016.

IJF-ja ka veçuar përballjen e fortë në mes të Gjakovës dhe Shavdatuashvilit.

“Synojmë të fillojmë me medalje, edhe pse nuk jemi të ngarkuar për këtë”, thotë trajneri i Kosovës, Driton Kuka. Për të e rëndësishme është kthimi në gara, motivimi i garuesve që kanë stërvitur gjatë pa pasur mundësi për të garuar si dhe shikimi i formës së xhudistëve.

Garës në Budapest rëndësi të madhe po i kushton edhe Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

“Disiplina dhe uniteti na dërgojnë drejtë lirisë”, ka shkruar IJF-ja.

Gara do të zhvillohet pa shikues në palestër.

“Është një edicion special i Grand Slamit të Hungarisë. Kjo ngjarje është shenjë e kurajës, iniciativës dhe bashkimit. E falënderojë qeverinë hungareze për bashkëpunimin. Është kohë e vështirë për të gjithë, por sidomos për sportet luftarake. Shpresoj se me angazhim të madh mund të fillojmë të adaptohemi me situatën aktuale dhe hap pas hapi të kthehemi në vendin tonë”, ka thënë presidenti i IJF-së, Marius Vizer.