Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, thotë se rruga më e mirë që Kosova të pozicionohet në tregun ndërkombëtar është përmes ekonomisë digjitale dhe teknologjisë informative, më përpara se me resurse natyrore.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Beqaj thotë se teknologjia informative (TI), në vitin 2018 ishte sektori i vetëm në Kosovë që kishte më shumë eksport sesa import.
Kreu i MIN-it ka treguar se javën e kaluar ka prezantuar një projekt rajonal para komisioneres për Ekonomi Digjitale të BE-së, Mariya Gabriel.
“Projekti është për ekonomi digjitale që do ta trajtojë edhe çështjen e biznesit dhe të institucioneve. Do të flasë për ‘Internet of things’, ose ‘Interneti i gjërave’ që bën ndërlidhjen e të gjithë mekanizmave dhe për komunitetet ‘smart’. Pra, ideja është të marrim modele të ndryshme të biznesit të cilat do mundësojnë që teknologjia informative dhe në përgjithësi zhvillimi i ekonomisë digjitale të hyjë në funksion të rritjes së potencialit ekonomik”.
Kur Qeveria Haradinaj kishte themeluar disa ministri, përfshirë Ministrinë e Inovacionit, kishte njerëz që kishin thënë se qëllimi është punësimi i militantëve partiakë.
Por, Beqaj thotë se për një vit e gjysmë janë dëshmuar si shembull për krijimin e një institucioni që do të jetë një nga gjeneratorët e zhvillimit ekonomik të vendit dhe me njerëz të përgatitur.
“Kushdo që ka folur për themelimin e ministrisë për qëllime punësimi ka ose një dashakeqje ose shpirtngushtësi; këtu nuk merremi me atë koncept”, shprehet Beqaj.
Beqaj tha se ministria që ai e drejton me buxhet e ka të lejuar të punësojë një staf prej 52 personave, por ky numër nuk është përmbushur ende.
I pyetur rreth temës së aktualizuar të punësimeve partiake nëpër institucione publike, Beqaj thekson se “elementi më i rëndësishëm është që të merret edhe qasja profesionale e atyre njerëzve, pra kompetenca profesionale”.