I pari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka paralajmëruar se Kosova mund të ‘’goditet’’ shumë shpejt nga varianti Delta, i identifikuar së pari në Indi dhe që është më lehtë i transmetueshëm.
Syla e argumenton këtë me faktin që ky variant është identifikuar në shtete të afërta me Kosovën, si Greqia apo Rumania, ndërsa i druhet edhe ardhjes së mërgimtarëve në sezonin e verës.
‘’Numri ka rënë në të gjithë botën, jo vetëm në Kosovë, por është ka vjen varianti i ri Delta. Nga ky variant mund të mbrohemi vetëm nga vaksinimi masiv. Ky variant po sulmon të rinjtë dhe e dijmë se sa të kujdesshëm janë ata. Varianti ka ardhur veç në Greqi e Rumani, pse a mos s’po vjen edhe te na? Izraeli është detyruar me i rikthy masat pavarësisht vaksinimit, Britania po mendon të njëjtën gjë. Duhet të jemi të përgatitur pasi tashmë edhe mërgimtarët po vijnë’’, u shpreh ai në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së.
Syla ka thënë se një valë tjetër e COVID-19 do të ishte e papërballueshme për stafin shëndetësor.
‘’Nëse vjen një valë tjetër, me këtë stërlodhje që kemi, nga 22 muaj nuk kemi pasur pushim, do të ishte e papërballueshme. Imagjinoni kolegët e mi në Infektivë, dhe ata nuk kanë me qenë në gjendje të mirë psiko-fizike që të përballojnë një valë tjetër. Nuk kemi edhe numër të ri të punëtorëve’’, vazhdoi Syla.