Fjalë Kyçe

Kosova nuk shfrytëzon rastet, humb 2:0 nga Spanja

Kosova nuk shfrytëzon rastet, humb 2:0 nga Spanja

Përfaqësuesja e Kosovës është mposhtur në stadiumin “Fadil Vokrri” nga Spanja, në ndeshjen e Grupit B kualifikues për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Spanja triumfoi me rezultatin 2:0 për ta forcuar vendin e parë në grup me 13 pikë të mbledhura pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara.

Sulmuesit e krahut, Pablo Fornals (32’) dhe Ferran Torres (88’) shënuan golat për fitoren e spanjollëve. Në fakt, Kosova luajti mirë, sidomos në pjesën e dytë ku lëshoi disa raste të mira shënimi. Vlen të përmendet rasti i Milot Rashicës (48’), Vedat Muriqit (53’) dhe Zymer Bytyqit (80’). Me këtë humbje, Kosova mbetet në kuotën e katër pikëve dhe zë vendin e katërt në grup pas pesë ndeshjeve të zhvilluara.

Për Kosovën, humbja nga Spanja erdhi pas barazimit me Greqinë (1:1) dhe fitores ndaj Gjeorgjisë (1:0). Në duelin ndaj Spanjës, përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes nuk e bëri asnjë zëvendësim.