Fjalë Kyçe

Kosova përballet për herë të parë me San Marinon sot në një ndeshje miqësore në Prishtinë

Kosova përballet për herë të parë me San Marinon sot në një ndeshje miqësore në Prishtinë

Kosova do të përballet për herë të parë me San Marinon sot në një ndeshje miqësore në Prishtinë, e cila do t’i shërbejë më shumë trajnerin Bernard Challandes për t’i testuar prurjet e reja në kombëtare, para ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës në shtator.

Takimi mes Kosovës dhe San Marinos zhvillohet sonte në orën 18:00 në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet, raporton Gazeta Express.

Destan Bajselmani, Bashkim Ajdini, Lorik Emini, Valmir Sulejmani, Zymer Bytyqi dhe Astrit Selamni u ftuan për herë të parë nga Challandes dhe do ta kenë mundësinë t’i tregojnë aftësitë e tyre sonte dhe pas tri ditëve kundër Maltës në Austri, për ta merituar shansin të ftohen për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës në shtator.

Duke folur para ndeshjes, Challandes tha se është i lumtur me ekipin që e ka mbledhur për këto ndeshje.

“Patëm stërvitje të mirë, pozitive, jam i lumtur me këtë ekip. Jam i kënaqur me kontingjentin e lojtarëve që kemi. Në këto dy ndeshje mendoj që është mundësi e mirë. Shkojmë për fitore”, tha Challandes.

Trajneri zviceran shtoi: “Na shërbejnë edhe për të parë lojtarët e rinj. Kemi respekt për të dyja ekipet, edhe San Marinon edhe Maltën. Ideja është për të fituar. Nëse mendoni se i kemi zgjedhur vetëm për të shpëtuar punën time atëherë ju nuk dini asgjë për personalitetin tim”.

Pas takimeve me San Marinon dhe Maltën këtë javë, Kosova do t’i zhvillojë edhe dy miqësore të tjera javën e ardhshme, kundër Guineas më 8 qershor dhe kundër Gambisë më 11 qershor.

Për këto dy të fundit, 75-vjeçari e ka ftuar një ekip tjetër, kryesisht të përbërë nga lojtarë të Superligës së Kosovës.

Synimi i Challandes është të provojë sa më shumë futbollistë para ndeshjeve që cojnë peshë për Kosovën në fundvit, në kualifikime për Botërorin e Katarit.