Fjalë Kyçe

Kosova përfiton mbi 6 milionë euro grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor

Kosova përfiton mbi 6 milionë euro grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha njoftoi se është lajm i mirë për Kosovën që aplikimi ynë për grante në vlerë mbi 6 milionë euro u miratua nga WBIF, duke e bërë Kosovën njërën nga vendet përfituese të Ballkanit Perëndimor.

Ajo thekson rëndësinë e WBIF granteve në implementimin e projekteve që kanë për synim zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve strategjikë, siç është energjia, transporti, mjedisi, si dhe zhvillimi i sektorit social dhe privat.

Sipas njoftimit “Ministria e Integrimit Evropian, në konsultim me bankat zhvillimore të cilat marrin pjesë përmes huadhënies, koordinoi procesin e përgatitjes së aplikimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në kuadër të thirrjes së 21-të për grante të asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”. Po ashtu ajo informoi se Komiteti Drejtues i WBIF ka njoftuar se janë miratuar aplikacionet për grante në mbledhjen e 20-të të datës 25-26 qershor 2019, në Berlin.

Ministrja Hoxha deklaroi se në kuadër të asistencës teknike për Kosovën u miratuan 4 grante në nivel nacional në shumë prej mbi 5.5 milionë eurove, dhe një projekt në nivel rajonal në shumë 624,000 euro.

Kosova përfiton nga këto grante përmes këtyre projekteve:

  • “Sistemet e ngrohjes qëndrore (€2,010,000)”
  • “Plani për furnizimin me gaz dhe shqyrtimi i kornizës rregullative dhe asistencës (€1,507,500)”
  • “Nxitja dhe shfrytëzimi i mundësive për sigurinë e ujit në Kosovë: Ndërtimi i digës së Kremenatës (€1,040,000)”
  • “Ndërtimi dhe rehabilitimi i infrastrukturës së kujdesit shëndetësor (€1,005,000)”
  • “REEP Plus, Dritarja 4 – Ndërtesat publike (€624,000)”.

Ministria e Integrimit Evropian dhe ministrja Hoxha si koordinatore kombëtare e fondeve IPA, do të vazhdojë të koordinojë asistencën zhvillimore në Kosovë me qëllim të implementimit të reformave që e sjellin vendin më afër Bashkimit Evropian.