Parlamenti Evropian dje ka kaluar iniciativën e Tanja Fajon, eurodeputete dhe raportuese për liberalizimin e vizave me Kosovën me 331 vota pro dhe 126 kundër.
Ky votim, sipas ekspertëve, nënkupton edhe vazhdimin e mbështetjes së euruparlamentarëve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen, pra do të jetë i vlefshëm edhe në përbërjen e ardhme të parlamentit, pas zgjedhjeve që do mbahen në muajin maj.
Më parë Parlamenti Evropian e ka votuar një rezolutë që kërkonte nga vendet e BE-së heqjen e regjimit të vizave për kosovarët sipas rekomandimit të Komisionit Evropian, shkruan lajmi.net.
Rezoluta e BE-së nuk ka bindur disa ministra të Brendshëm të vendeve të BE-së për të mundësuar aprovimin në mekanizmin e fundit që do të mundësonte liberalizimin e vizave për Kosovarët.
Gazeta ka kontaktuar me shefen e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu për të diskutuar në lidhje me këtë çështje dhe me pozitën që ka Kosova pas këtij votimi.
“Votimi ka qenë një lajm i mirë, sepse për herë të dytë është konfirmuar se Kosova i ka plotësuar kriteret”, është shprehur Deliu.
Sipas saj, është problem të parashikohet se çfarë do të ndodh më tutje për shkak se jo varet nga Këshilli i Ministrave, por ajo ka potencuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.
“Por është problem të parashikohet, nuk është më çështja tek Kosova, ne i kemi kryer të gjitha obligimet tani mbetet tek Këshilli i Ministrave dhe ne nuk mund të parashikojmë për këtë. Kjo çështje duhet të ketë një epilog dhe është konfirmuar dje që po bëhet padrejtësi në raport me qytetarët e Kosovës. Natyrisht ne duhet të vazhdojmë punën, por çështja e kriterit për vizat janë, kriteret janë plotësuar.”, është shprehur Deliu.
E pyetur se çfarë mund të bëjë Kosova më tepër që të ndikoj tek shtetet të cilat nuk e kanë përkrahur liberalizimin e vizave për Kosovën, Deliu është shprehur se duhet të thellohen më tutje kontaktet.
“Ka lëvizje nga disa shtete të cilat kanë qenë kundër në takimet që i kemi pasur jemi munduar të mbajmë të qartë progresin që ka shënuar Kosova dhe Kosova duhet të vazhdoj t’i thellojë kontaktet me këto shtete që vendimi final të jetë në favor të Kosovës”, tha në fund Deliu.
Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu ka qartësuar se çfarë pritet pas votimit pozitiv në Parlamentin Evropian.
“Po realisht ajo që është votuar është amandamentimi i rregullores, por ne e dimë që ky proces përfundon me vendim-marrjen finale nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian. Aty ku artikulohet vullneti i vendeve anëtare përmes ministrave dhe ky është konfiguracioni i fundit që jep dritën jeshile për zonën shengen”, ka shpjeguar Kryeziu.
Kryeziu është shprehur se varet nga institucionet e Kosovës se çfarë do të jetë vota e shteteve anëtare në Këshillin e Ministrave, duke theksuar faktin se sundimi i ligjit është kryefjala e integrimit evropian.
“Kur krijohet ai moment që vendet anëtare janë të gatshme të japin votën e tyre në këshill shumë varet nga institucionet tona të cilat duhen me tregu gatishmëri që të ndërtojnë një sistem të drejtësisë të pavarur, transparent me njerëz me integritet sepse kryefjala e integrimit evropian është sundimi i ligjit dhe aspekti i vendim-marrjes në procesin e vizave është shumë i lidhur me procesin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë, çka po dëgjojmë nga ambasadorët e kuintit”, ka shpjeguar Kryeziu.
Kryeziu gjithashtu ka bërë thirrje tek liderët e vendit që të mos përmenden data për liberalizim të vizave duke shtuar se lobimi më i mirë është të dëshmojmë respektimin e ligjit.
“Lobimi më i mirë është kur japim dëshmi që po e respektojmë sundimin e ligjit dhe po ndërtojmë një sistem kredibil gjyqësor që është i gatshëm me i hetuar profilet e larta”, është shprehur Kryeziu.
Vlen të theksohet fakti se procesi i liberalizimit përfshin raportimin pozitiv nga Komisioni Evropian që jep rekomandimin, se një vend i ka plotësuar kushtet që qytetarët e tyre të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen; pas kësaj Parlamenti Evropian duhet ta kalojë këtë raport në votim dhe në fund vendimi duhet të merret edhe nga ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare, me një shumicë të kualifikuar.
Shumica e kualifikuar duhet të plotësoj dy kushte: Shumicën e vendeve të BE-së që përfaqësojnë mbi 50 për qind të popullatës së atyre vendeve. Vendimi për qytetarët e Kosovës ka ngecur në pikën e fundit.