Kosova ka shënuar fitoren e parë historike në kualifikimet për Botëror, duke mposhtur 1:0 në udhëtim Gjeorgjinë.
Autogoli i Davit Khocholava në minutën e 18-të ishte vendimtar në këtë takim, gol që u realizua pas krosimit të Valon Berishës. Fitorja ishte gjithashtu e para në Grupin B të kualifikuesve për Botërorin ”Katari 2022”.
Kosova kishte disa rraste të rrezikshme me Lirim Kastratin, i cili dështoi dy herë ballë për ballë me portierin vendas.
Dardanëve madje iu anulua një gol nga VAR-i për pozicion jashtë loje, kur Vedat Muriqi realizoi në minutën e 84-të.
Me këtë fitore, Kosova ngjitet në vendin e tretë të Grupit B me tre pikë. Gjeorgjia mbetet në vendin e fundit me një pikë. Greqia është e katërta me dy pikë, ndërsa tabelës i prin Spanja me shtatë pikë, e ndjekur nga Suedia me gjashtë sosh.
Takimin e ardhshëm, Kosova e luan në ‘’Fadil Vokrri’’ më 5 shtator kundër Greqisë.