Kroacia ka kthyer masën e karantinimit 14-ditor për vizitorët nga Kosova dhe nga tri vende të tjera të rajonit, pas rritjes së rasteve të reja me koronavirus javën e fundit, kanë njoftuar autoritetet kroate të mërkurën.
Nën masën e përkohshme, që hyn në fuqi të enjten, vizitorët – përfshirë edhe ata me pasaportë kroate – nga katër shtete të Ballkanit: Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të vetizolohen për dy javë, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq.
Ata që shfrytëzojnë Kroacinë për rrugë transit nuk janë të obliguar të karantinohen, e as s’janë të obliguar për këtë masë vizitorët nga dhjetë shtete të Bashkimit Evropian për të cilat Kroacia ka hapur kufijtë më 1 qershor.
Deri tash në Kroaci janë regjistruar 2388 raste me COVID-19, me 119 raste të regjistruara javën e shkuar. Kroacia thotë se shumica e rasteve të reja janë të importuara nga vendet fqinje.