Fjalë Kyçe

Kosovarët, të tretët për nga numri i punëtorëve “jo-BE” në Gjermani

Kosovarët, të tretët për nga numri i punëtorëve “jo-BE” në Gjermani

Kosova është në mesin e shteteve që përfaqësojnë pjesën më të madhe të punëtorëve jo-anëtarësh të Bashkimit Evropian të cilët emigruan në Gjermani për qëllime të lidhura me punën në vitin 2021, ka njoftuar Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë, Destatis. Shqipëria renditet e shtata.

Shtetasit e Indisë dhe Bosnjë-Hercegovinës ndajnë dy vendet e para përkatësisht.

Sipas Destatis, numri i punëtorëve që emigruan në Gjermani gjatë dhjetë viteve të fundit është trefishuar. Në fund të vitit 2021, Regjistri Qendror i të Huajve të Gjermanisë regjistroi 295 mijë persona me leje qëndrimi të përkohshëm për qëllime punësimi.

Nga numri i përgjithshëm i personave me leje të përkohshme qëndrimi, të dhënat tregojnë se grupet më të mëdha të punëtorëve jashtë BE-së vijnë nga India, Bosnja-Hercegovina dhe Kosova.

Në fund të vitit 2021, Gjermania regjistroi 33.900 punëtorë nga India, 26.300 punëtorë nga Bosnja-Hercegovina dhe 19.600 punëtorë nga Kosova.

Përveç këtyre tre vendeve, Serbia (17.400), Kina (16.700), Shtetet e Bashkuara (16.500), Shqipëria (13.800), Maqedonia e Veriut (13.500), Turqia (10.700) dhe Rusia (9.400) janë gjithashtu në dhjetëshen e parë të listës, shtetasit e të cilëve kanë emigruar në Gjermani për qëllime pune.

Numri i punëtorëve “jo-BE” në Gjermani në fund të vitit 2021 ishte 226 për qind më i lartë se në vitin 2011.

Por nga 295 mijë persona të regjistruar me leje qëndrimi të përkohshëm për qëllime punësimi në fund të vitit 2021, 69.900 prej tyre janë të diplomuar dhe specialistë shumë të kualifikuar.

Përveç numrit të lartë të punëtorëve nga vendet jo anëtare të BE-së, emigracioni i lidhur me punën nga vendet e BE-së gjithashtu u rrit ndjeshëm. Sipas të dhënave, rreth 1.65 milionë qytetarë të vendeve të tjera të BE-së punonin në Gjermani në vitin 2021. Polonia, Rumania, Italia dhe Kroacia i prin kësaj liste.

Pavarësisht kësaj, Gjermania ka ende 1.7 milionë vende të lira pune. Qeveria gjermane po planifikon ta bëjë më të lehtë punësimin për emigrantët.