Mikpritja që iu bë anglezëve nga populli i Kosovës në javën që lam pas, ishte bërë temë diskutimi nga të gjitha mediat botërore, në veçanti ato angleze.
Sheshet e rrugët e Prishtinës ishin mbushur me flamuj të Anglisë e parulla të dedikuara për futbollistë, teksa në Kosovë kishin ardhur shumë tifozë anglez.
Kurse, gjatë ndeshjes ‘Dardanët’ kishin shfaqur parullën me mbishkrimin: ‘Welcome & Respect’, teksa të gjithë të pranishmit mbanin flamujt e Anglisë në duar gjatë intonimit të himnit anglez.
Një ngjarje interesante i kishte ndodhur tifozit anglez, Simon Bruce, të cilit i kishte humbur kuleta në rrugë dhe një qytetar ia kishte kthyer atë pa prekur asgjë. E personi që kishte gjetur kuletën e tij është furrtari nga Hasi, Mjeridon Ninaj, i cili punon në byrektoren Venecia.
Simon Bruce ka rrëfyer këtë ngjarje për ‘Klan Kosovën’, teksa ai ka zbuluar edhe një rast tjetër. Tifozi anglez ka treguar se si një burrë i ka dhuruar atij biletë për ndeshje dhe nuk ka pranuar të marrë asnjë cent nga ai.