Fjalë Kyçe

Kosovës i përfundon seria prej 14 ndeshjeve pa humbje, mposhtet nga Ukraina

Kosovës i përfundon seria prej 14 ndeshjeve pa humbje, mposhtet nga Ukraina

Futbollistet e Kosovës nuk kishin humbur ndeshje që nga 12 nëntori i vitit 2022. Prej atëherë ishin në seri prej 14 ndeshjeve pa disfatë. 13 prej tyre i kishin fituar.

Kësaj serie impresive i erdhi fundi të premten pasdite.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll u mposht 2:0 nga Ukraina, në nismë të kualifikimeve për Euro 2025. Ndeshja u zhvillua në Antalya të Turqisë. Për shkak të luftës me Rusinë, Ukraina gjithë aktivitetin ndërkombëtar sportiv e zhvillon në vende të tjera.

Futbollistet e Kosovës nuk ia dolën të shfrytëzojnë terrenin neutral. Ukraina ka shënuar dy gola në pjesën e parë për fitoren e rëndësishme. Mbrojtësja e krahut të djathtë, Anna Petryk shënoi nga penalltia në minutën e 28-të për 1:0.

Golin e dytë e realizoi mesfushorja ofanzive, Tamila Khimich në minutën e 34-t. Shifrat më nuk ndryshuan.

Kosova i kishte shtatë raste gjithsej, ndërsa Ukraina dy herë më shumë, përkatësisht 15. Goditje në kornizë të portës, ukrainaset i kishin gjashtë, ndërsa lojtaret e Kosovës vetëm dy.

Serinë pa humbje Kosova e kishte ndaj përfaqësueseve të nivelit C, sipas ndarjes të fundit të UEFA-s, apo ndaj përfaqësueseve joevropiane. Kosova ka avancuar nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve gjatw serisw pa disfata.

Kualifikimet për Evropian janë organizuar në format të njëjtë me Ligën e Kombeve dhe Kosova po paraqitet në Ligën B. Por dallimi me Ligën C është i madh. Dhe futbollistet e Kosovës këtë e kuptuan të premten në Antalya.

Kosova është në Grupin 4 të Ligës B, ku janë edhe Uellsi dhe Kroacia. Uellsi dhe Kroacia janë përfaqësuese më të forta se Ukraina, në bazë të ndarjes në vazo të UEFA-s. Kështu që futbollistet e Kosovës i presin ndeshje edhe më të forta në vazhdim të kampanjës kualifikuese për Evropian.

Pas katër ditësh, Kosova e pret Uellsin, favoritin e grupit. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Më 31 maj, “Dardanet” i presin edhe futbollistet e Kroacisë, me shumë mundësi sërish në Podujevë. Më 4 qershor është ndeshja Kroacia – Kosova. Më 12 korrik, Kosova e pret Ukrainën, ndërsa fazën grupore të kualifikimeve e përfundon më 16 korrik në ndeshjen në udhëtim ndaj Uellsit.

Nëse renditet në tri pozitat e para, përfaqësuesja e Kosovës kualifikohet për plejof. Vendi i fundit dërgon në Ligën C.