Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, tha se iniciativa për largimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.
Sipas tij, në total kanë votuar 253 persona.
Në Leposaviq votuan 124 votues apo 0.91 për qind e shifrës totale, në Zubin Potok, 18 votues, apo 0.26 për qind, në Zveçan asnjë votues, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 111 votues, apo 0.59 për qind e votuesve.
Të gjitha qendrat e votimit – 23 – u mbyllën të dielën në orën 19:00.
Ky proces u organizua teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve.
Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se “procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në muajin janar mbi 20% të qytetarëve me të drejtë vote kishin nënshkruar peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës”.
Sipas tij, nuk gjatë ditës nuk është raportuar për asnjë incident.
Dushan Radakoviq, nga Demokracia në Veprim, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk pret që të ndryshojë diçka pas këtij procesi.
“Pres presion edhe më të madh nga strukturat në pushtet, sepse do të thonë se është dhënë mundësia për të votuar, se janë dhënë disa gjëra të tjera në lidhje me nënshkrimet (peticionet), por nuk mendoj se do të ketë ndonjë përmirësim, kam frikë. Kam frikë se do të ketë edhe më shumë probleme, sepse këta kryetarë do të mbesin në pushtet de facto dhe de jure deri në tetorin e vitit tjetër, kur janë zgjedhjet e rregullta lokale”.
Shumica e qendrave të votimit u hapën në orën 07:00, përjashtuar disa që u hapën me disa minuta me vonesë për shkaqe teknike.
Rrjeti i organizatave joqeveritare, DnV e ka kritikuar KQZ-në për vonesa që të informojë qytetarët se ku janë qendrat e votimit.
Sipas tij, vendosja e kamerave të vëzhgimit në vendvotime mund të përbëjë cenim të fshehtësisë së votës, për shkak të pozicionit ku janë vendosur.
KQZ-ja ka thënë se për herë të parë në këto votime janë vendosur kamera vëzhguese dhe një praktikë e tillë do të vazhdojë edhe në proceset e ardhshme zgjedhore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë konferencës për media, tha se sa u përket të dhënave të regjistruara nga kamerat vëzhguese, të njëjtat do të shkatërrohen së bashku me materialin zgjedhor, pas votimeve.
“KQZ nuk mbikëqyr, nuk monitoron regjistrimin apo funksionimin e këtyre online. Pra, nuk ka ndonjë dhomë të veçantë ku shikon në ekrane këto filmime. Qasja në këto video mund të bëhet vetëm me vendim të institucioneve KQZ-së, PZAP-it [Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa], prokurorisë apo gjykatave nëse ka ndonjë rast që trajtohet në këto institucione”, tha ai.