Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nga shtatori i vitit të kaluar ka mbetur pa mandat kushtetues për shkak të mos emërimit të anëtarëve të rinj nga presidenti i vendit Hashim Thaçi.
Presidenti Thaçi ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me përbërjen e re që do të ketë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai ka ngritur dilemë sa i përket ndarjes së anëtarëve të KQZ-së, se sa përfaqësues do të kenë partitë politike aty, shkruan Gazeta Alo.
Në qershor, Thaçi kishte vendosur të emërojë grupin e parë të anëtarëve të KQZ-së, derisa për të tjerët kërkoi sqarime nga kushtetuesja se si duhet të bëhet ndarja e posteve në këtë institucion.
Por, siç duket këtij problemi i ka ardhur fundi, pasi që lënda për këtë çështje është në fazën përfundimtare. Kështu ka thënë për Gazetën Alo, drejtori i Zyrës për Informim pranë Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula.
“Kjo kërkesë aktualisht është në fazën përfundimtare të vendimmarrjes”, ka thënë Dula, duke mos dhënë ndonjë datë të saktë se kur pritet të zgjidhet ky ngërç i cili ka bërë që KQZ-ja të mos jetë funksionale që një kohë të gjatë.
E, duke parë këtë mosfunksionim të KQZ-së, Gazeta Alo ka kërkuar përgjigje edhe nga presidenca se a do t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të vendit presidenti i vendit Hashim Thaçi, pasi që këto katër komuna kanë mbetur pa kryetar të cilët edhe zyrtarisht të enjten kanë dorëzuar dorëheqjen e tyre në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, por se nga presidenca nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.
Gazeta Alo për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se a janë të gatshëm për organizim të zgjedhjeve në këto katër komuna, pavarësisht që edhe nëse ndodhë që mos të emërohen anëtarët e rinj të saj, por as institucioni në fjalë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
Ndërsa, ish-kryesuesi i KQZ-së dhe eksperti i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu thotë për Gazetën Alo se këto vakume institucionale janë jashtë mandatit të KQZ-së.
“Ka disa vakume funksionale, gjegjësisht institucionale. Në fakt jashtë mandatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe nuk do të ketë mundësi legjitime dhe legale që t’i udhëheq dhe t’i menaxhojë ato procese por sidoqoftë mbetet në dorën e presidencës që t’i përshpejtojë veprimet’, ka thënë Baraliu.
Sipas tij, jo vetëm presidenca por në këtë rast procesi do të duhej të përshpejtohej edhe nga Gjykata Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese do të duhej ta përshpejtonte punën e saj, është dashur që përgjigja të jepej brenda afatit ligjor të paraparë me ligjin dhe rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese e ajo është 60 ditë më së largu prej ditës kur bëhet parashtresa dhe që të përshpejtohen punët dhe pastaj të mandatizohet të themi KQZ-ja dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme në ato katër komuna”, ka thënë Baraliu.
Mirëpo, deklaron se edhe nëse Gjykata Kushtetuese nuk merr vendim për t’i kthyer përgjigje presidentit të vendit, kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë.
“Në qoftë se kjo nuk ndodhë nuk është hera e parë fatkeqësisht , avaze të tilla dhe të themi mosrespektim të afateve kushtetuese dhe obligimeve të institucioneve të pavarura të vendit nuk është hera e parë që po ndodhë, nuk do të doja po supozoj të përjetohej nga qytetarët e Kosovës por mund të ndodhë që edhe ndryshe të veprohet dhe të kryhen ato obligime për mbajtjen e zgjedhjeve, por zgjedhjet domosdoshmërisht brenda afateve ligjore do të duhej të mbaheshin”, ka deklaruar Baraliu për Gazetën Alo.
Ligji për Zgjedhjet Lokale në nenin 4 të pikës 4.1 thotë se pas konsultimit me partitë politike, kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale.
Ndërsa, në pikën 4.4 të këtij neni thuhet se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes./Gazeta Alo/