Qendra e Numërimit dhe Rezultateve i ka rekomanduar KQZ-së në mbledhjen e sotme që të rinumërohen 12 vendvotime.
Burim Ahmetaj nga QNR -ja ka sqaruar se ka mungesë të nënshkrimeve nga ana e këshillave të vendvotimit dhe formularë të pa plotësuar dhe se për këtë arsye po kërkohet rinumërimi.
“Kemi të bëjmë me formularë të përputhjes të të dhënave me rezultatet, me formularë të rezultateve të kandidatëve. Në disa raste kemi mungesë të nënshkrimeve nga ana e këshillave të vendvotimit. Kemi raste kur mungon edhe vetë formulari, mirëpo shumicën e rasteve kemi të bëjmë me mungesën e nënshkrimeve dhe me formularë të paplotësuar. Rekomandimi është që të gjitha këto vendvotime të shkojnë në rinumërim të plotë dhe jo të pjesshëm”, ka deklaruar Ahmetaj.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se krahasuar me zgjedhjen e mëparshme, kërkesa për rinumërim të vendvotimeve në këto zgjedhje është shumë më e vogël.
Sipas KQZ-së vendvotimet që rinumërohen i takojnë këtyre komunave: Gjakovë (1); Fushë Kosovë (1); Rahovec (1); Podujevë (3); Prizren (2); Skenderaj (1); Suharekë (1); Ferizaj (1); dhe Vushtrri (1).