Fjalë Kyçe

KQZ-ja bëhet gati për nesër, shpërndan materialin zgjedhor nëpër komuna

KQZ-ja bëhet gati për nesër, shpërndan materialin zgjedhor nëpër komuna

Është shpërndarë materiali i ndjeshëm zgjedhor nga depo qendrore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve, nën përcjelljen e njësiteve policore. Ky material i ndjeshëm zgjedhor në të cilin bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, do të përdoren në ditën e nesërme të zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime, përfshirë edhe ato rezervë, e se kanë pranuar 38,339 pako me fletëvotime. Shtoi se për këto zgjedhje janë shtypur 10 për qind më pak fletëvotime në krahasim me ato të kaluarat.

“KQZ-ja duke u mbështetur edhe në praktikat e kaluara dhe në proceset e kaluara zgjedhore ka shtypur më pak fletëvotime sesa qytetarë të regjistruar për të votuar. Ky është vendim i menduar mirë nga KQZ-ja. Kështu kemi vepruar edhe gjatë viteve të kaluara dhe nuk kemi pasur mungesë të fletëvotimeve. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar se ka edhe fletëvotime rezervë dhe askush nuk do të mbetet pa votuar. Të drejtë vote kanë të gjithë ata qytetarë që janë prezent në listat votuese. Ato përmbajnë jo vetëm banorët rezident të Kosovës por edhe ata që jetojnë jashtë vendit”, ka thënë ai.

Të dielën në mëngjes materiali zgjedhor shpërndahet nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit në secilën prej komunave përkatëse. Bazuar në listën përfundimtare të votuesve me të drejtë vote janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, por pavarësisht kësaj, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve, janë gjithsej 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime që janë shtypur përfshirë edhe ato rezervë. Rrjedhimisht janë 117 mijë e 662 fletëvotime më pak sesa numri i përgjithshëm i votuesve.