Fjalë Kyçe

KQZ nuk certifikon listat zgjedhore të VV-së, Nismës dhe AAK-së

KQZ nuk certifikon listat zgjedhore të VV-së, Nismës dhe AAK-së

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar subjektet politike: Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate dhe listat e tyre të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

KQZ nuk ka certifikuar as listën zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.

Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvëndësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

KGJK kishte thënë se “janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”.

Sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike për KQZ-në, lëvizja Vetëvendosje nuk kishte zëvëndësuar 5 kandidatë, ndërsa Nisma Socialdemokrate 12 kandidatë.

Listat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike dhe Listës Sërpska janë certifikuar nga ana e KQZ-së.

Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se subjektet politike dhe kandidatët që vlerësojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar, kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.