Fjalë Kyçe

KQZ merr disa vendime: Mbyllen 4 parti në Kosovë dhe zëvendësohen 4 deputetë

KQZ merr disa vendime: Mbyllen 4 parti në Kosovë dhe zëvendësohen 4 deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, me ç’rast janë marrë edhe disa vendime të rëndësishme, në mesin e tyre për mbylljen e katër partive dhe zëvendësimin e katër deputetëve të Kuvendit që morën poste të Qeveri.

Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi rekomandimin për Presidentin e Republikës së Kosovës lidhur me kandidatët e radhës për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës që do të zëvendësojnë deputetët e deritashëm, sipas listave të subjekteve politike, shkruan FaktePlus.

Nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës rekomandohet që:

1 Visar Hoti të zëvendësojë Driton Selmanaj;

2 Ismet Beqiri të zëvendësojë Arban Abrashin; dhe

3 Faton Bislimi të zëvendësojë Armend Zemajn.

Nga subjekti politik Nisma Socialdemokrate – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë

1 Arbëreshë Krasniqi të zëvendësojë Albulena Balaj – Halimajn.

Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për të çregjistruar 4 parti politike.

Mbyllja apo çregjistrimi i tyre erdhi pasi ato nuk e kanë dorëzuar formularin për vazhdimin e regjistrimit të partisë politike, siç përcaktohet në nenin 12.6 të ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme.

Partitë politike të çregjistruara në mbledhjen e sotme, 10 qershor 2020, janë:

1 ESDAK – Evropska Stranka Demokratske Akcije Kosova;

2 SLS – Samostalna Liberalna Stranka;

3 LD – Lëvizja për Drejtësi; dhe

4 PEK – Partia Euroatlantike e Kosovës.