Drejtori i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress, u shpreh se kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria duhet të shfrytëzohet për prioritetet kombëtare, por deri më tani nuk është parë një gjë e tillë pas nuk ka asnjë koordinim mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Në fillim të këtij viti Shqipëria mori zyrtarisht kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e cila është organizata më e madhe e sigurisë rajonale në botë. Për shkak të zgjedhjeve në vend dhe situatës së krijuar pas saj, kjo ngjarje e cila me të drejtë u quajt historike po kalon pa marrë vëmendjen e duhur dhe e cila duhej të shfrytëzohej si mundësi për të përfshirë prioriteteve të Kosovës në agjendën ndërkombëtare.Ish-këshilltari politik i dy ish-presidentëve shqiptarë, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi tha se përkundër që OSBE nuk ka një rol vendimtar në njohjen e Kosovës dhe në gjeopolitikën botërore, kjo pozitë duhej shfrytëzuar për të bërë lobing dhe për t’i kthyer prioritetet e Kosovës si pjesë kryesore të agjendës ndërkombëtare.Arsye për mos bashkëpunimin e Kosovës dhe Shqipërisë për të shfrytëzuar kryesimin e OSBE-së, Krasniqi thotë se po ndikojnë përplasjet që kanë pasur kryeministrat e të dy vendeve si dhe vonesa në formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Ai tha se liderët në të dy vendet duhet të jenë vërtetë liderë dhe të marrin përgjegjësi publike. Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova duhet që të fokusohen tek lobimi i përbashkët.
Duke i pasur parasysh këto dy faktorë dhe mundësinë për t’u shfrytëzuar që është kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria, Krasniqi tha Kosova mund të caktonte një përfaqësues i cili do të komunikonte me Tiranën zyrtare dhe të koordinonte veprimet.
Po ashtu, Krasniqi deklaroi se emisari special i Shqipërisë në OSBE i caktuar së fundmi e që është Ditmir Bushati duhet të lejohet që të veprojë edhe në Kosovë dhe të koordinonte palët.Profesori i asociuar Afrim Krasniqi tha se Tirana dhe Prishtina kanë nevojë për të bashkëvepruar në arenën ndërkombëtare sepse është detyrim kushtetues dhe interes kombëtar dhe i tërë rajonit për një stabilitet të qëndrueshëm.
Ndryshe, OSBE-ja kryesohet çdo vit nga një shtet pjesëmarrës i ndryshëm. Ministri i Jashtëm i atij shteti e që në këtë rast është Edi Rama shërben si kryetar dhe punon bashkë me kryesinë paraardhëse dhe atë pasardhëse që së bashku, të tria kryesitë formojnë atë që quhet Trojka e OSBE-së.Prej vitit 1999 OSBE-ja ka edhe misionin e saj në Kosovë që promovon të drejtat e njeriut, qeverisjen e mirë dhe sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë përmes monitorimit dhe mbështetjes së punës së institucioneve lokale.