Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se formimi i Gjykatës Speciale është parë si mjet për t’i larguar nga pushteti njerëzit të cilët kanë qenë nga krahu i luftës.
Krasniqi thotë se partitë politike që nuk kanë qenë shumë të lidhura me luftën, “njerëzit e luftës i kanë parë si pengesë për ta marrë pushtetin dhe Gjykatën Speciale si armë e cila do t’i diferenconte disa dhe do t’u jepte mundësi më të mëdha politike në krahun tjetër”.
Ai përmend partitë të cilat nuk kishin kundërshtuar formimin e kësaj gjykate, kur ai vetë si kryetar kuvendi i kishte dalë kundër.
“Unë si kryetar i Kuvendit, kur kemi bisedu me ndërkombëtarët vetëm unë kam qenë kundër. Ka qenë PDK, LDK, AKR, AAK dhe realisht nuk kanë kundërshtuar, unë kam kundërshtuar me arsyen se është një etnike dhe se UÇK-ja është demilitarizuar, me 22 qershor në aeroportin e Sllatinës është nënshkru marrëveshja e demilitarizimit dhe pas kësaj date nuk ka pasë zyrtarisht UÇK dhe nuk ka pasë organ drejtues të UÇK-së”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.
Partitë politike nuk funksionojnë në mënyrë demokratike, thotë Krasniqi, për çka shton se nga ato nuk është diskutuar se cili do të ishte dëmi nga formimi i një gjykate të tillë, pavarësisht se është ditur kush është targeti i saj.
“Partitë politike nuk janë parti të profiziluara si duhet, nuk funksionojnë në mënyrë demokratike por politikat e partive politike i përcakton ndoshta kryetari i partive siç e kemi parë. Nuk është bë i qartë cili është interesi nacional në këto rrethna, nuk është diskutu në asnjë nivel dhe subjekte politike cili do jetë dëmi i formimit të një Gjykate Speciale një etnike. Të gjithë në Kosovë e kanë ditë se kush do jetë target i kësaj gjykate dhe kush nuk mund të jetë target”, tha ai.