Fjalë Kyçe

Krejt çka dihet rreth Besës, e cila po e rrezikon shuarjen

Krejt çka dihet rreth Besës, e cila po e rrezikon shuarjen

Klubi i futbollit Besa po e rrezikon shuarjen shkaku i problemeve financiare.

Pejanët kanë mbetur pa kulm mbi kokë pasi pronari i klubit, Ylli Kullashi është “zhdukur” tash e disa muaj dhe tash klubi ka mbetur në mëshirë të fatit.

Vitin e kaluar, Besa i kishte punët goxha më mirë sa i përket organizimit, por rënia në kategorinë e tretë të futbollit kosovar ka shpartalluar dhe shkatërruar gjithçka, shkruan “Gazeta Express”.

Aty ishin bërë bashkë disa legjenda të klubit, të cilët ishin bërë pjesë e shtabit teknik, apo në pozita të tjera.

Kryetari Kullashi nuk është bërë i gjallë në muajt e fundit dhe kjo ka bërë që Besa të mos jetë në gjendje t’i nisë përgatitjet, ndërsa e ka të ndaluar të bëjë transfere për shkak të borxheve që i ka.

E kjo situatë e pakëndshme ka bërë që lojtarët të shpërndahen në ekipet tjera, njëjtë si trajnerët dhe anëtarët tjerë të klubit.

Derisa kontakti me kryetarin Ylli Kullashi ka qenë i pamundur sot, një burim i afërt me klubin, ka dhënë detaje të rëndësishme për “Gazetën Express” rreth gjithçkaje që ka ndodhur në muajt e fundit në njërin prej klubeve më të suksesshëm në futbollin kosovar, i cili po shkon drejt shuarjes.

“Kampionati është kryer qe dy muaj dhe kryetari Ylli Kullashi është i pa qasshëm nga ajo kohë, ose edhe më herët. Ai është zhdukur, s’mund ta kontaktojë askush. Është mëkat se në çfarë gjendje ka ardhur klubi, është katastrofë e Zotit. Nuk dimë ta përshkruajmë këtë gjendje, është pritur krejt ndryshe të jetë, por realiteti qenka ndryshe”, thotë ky burim për gazetën.

Ylli Kullashi kishte zbarkuar në Pejë me premtime dhe fjalë të mëdha, duke e prezantuar një projekt evropian për klubin Bardh e Kuq.

Fillimi i eksperiencës së tij ishte një “parajsë” për pejanët, të cilët mund të shijonin shumë luks.

“Në fillim s’ka pasur probleme. Besa ka qenë njëri prej klubeve më të organizuar në Kosovë. Ka pasur fitness në stadium, transportin e hequr deri tek qendra stërvitore, ushqimin në Hotel Dukagjini etj. Pra, ekzistonin krejt kushtet. Por, gjërat ndryshuan për të keq, fatkeqësisht”, tregon ky burim.

Por, kjo nuk zgjati shumë pasi klubi nisi ta merrte tatëpjetën.

E me pronarin e klubit kanë mbetur të zhgënjyer dhe të dëshpëruar të gjithë, pasi prisnin që me të, Besa të rikthehej në majat e futbollit kosovar.

“Ylli Kullashi nuk doli siç e kishin pritur të gjithë në klub dhe ata jashtë tij. Duket se ky djalë ka ardhur në klub për interes të vetin, për të marrë lojtarë dhe për t’i dërguar ata jashtë vendit, në mënyrë që të përfitojë vetë. Të gjithë janë të dëshpëruar me të, sidomos me veprimet e tij të muajve të fundit, pasi është ‘avulluar’”, shton burimi i “Express”.

“Ai i ka dërguar në Itali në Varese lojtarët e talentuar Redon Syla e Avdi Metaj, ndërsa në Itali, përkatësisht në Monza mund të shkojë edhe talenti tjetër, Bruti. Pra, po shihet se mund të ketë interesa personale dhe përfitimi nga ana e pronarit”, insiston ky burim.

Ai tutje tregon se në sezonin e kaluar, 70 për qind e ekipit nuk u pagua pasi bëhej fjalë për lojtarë të rinj pejanë, ndërsa pjesës tjetër dhe shtabit teknik, të prirë nga Fisnik Papuqi, u janë kryer të gjitha obligimet financiare.

Klubi mund të fuzionohet me Dardaninë

Besa nuk ka kohë dhe mundësi financiare dhe teknike të marrë pjesë në Ligën e Dytë, e cila do të fillojë shumë shpejt.

Dhe, “Express” mëson se kjo situatë ka bërë që të shikohet mundësia e fuzionimit apo shkrirjes së klubit me klubin e futbollit Dardania.

Me këtë rast, klubi do të mundë t’i merrte dy emra, “Besa Dardania” dhe me këtë rast do ta kishte mundësinë të garojë që prej fillimit të sezonit.

Natyrisht, për legjendat e klubit, kjo do të ishte e dhimbshme, por që klubi i dytë më i suksesshëm në Kosovë nuk ka zgjidhje tjetër për momentin.

Burimi i “Express” tutje zbuloi se klubin ishte interesuar ta merrte në dorë ish-kryetari i tij, Agim Elshani, por që kryetari aktual, Ylli Kullashi nuk e kishte marrë në konsideratë një opsion të tillë për t’ia lënë atij në duar klubin.

Vetë klubi nuk e ka lëshuar ende asnjë komunikatë për shtyp dhe as s’ka folur askush nga kryesia.

As kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një bisedë me “Gazetën Express” nuk ka dhënë shpresa për shpëtim, duke insistuar se Komuna s’mund ta ndihmojë klubin, i cili e ka statusin e OJQ-së.

Pra, Kosova mund të mbetet edhe pa një klub të madh, pas shumë klubeve që janë shuar pasluftës për arsye të problemeve financiare.