Fjalë Kyçe

Krimi në Paskuqan, si nisën mosmarrëveshjet mes viktimës dhe kunatit vrasës, detaje të reja

Krimi në Paskuqan, si nisën mosmarrëveshjet mes viktimës dhe kunatit vrasës, detaje të reja

Mbrëmja e djeshme në Paskuqan u përgjak nga një krim i rëndë në familje. Diku rreth orës 23:40, Eredet Çapoku goditi për vdekje me mjet të fortë (shkop druri), kunatën e tij, Enkeleda Çapoku, 39 vjeçe.

Burime për Top Channel shpjegojnë zanafillën e mosmarrëveshjeve mes 34-vjeçarit dhe viktimës.

Deri para dy vitesh, Enkeleda dhe Erdeti jetonin bashkë në një banesë me qira. Mësohet se mes tyre ka patur mosmarrëveshje, ndaj Erdeti, i përzënë nga shtëpia shkoi të jetonte me të dashurën e tij, në një tjetër banesë me qira.

Bëhet me dijeni se kur Erdeti u nda me të dashurën nisi të konfliktohej me kunatën për orenditë shtëpiake, mosmarrëveshje që duket se u shuan kur kunata i dha orenditë që ai donte.

Mesa duket i riu nuk mundi kurrë ta falte faktin që e detyruan të ikte nga shtëpia, ndaj e përndiqte dhe filmonte sistematikisht kunatën dhe vajzën e saj 18-vjeçare. Nënë e bijë, ato punonin në një fabrikë këpucësh.

Më pas, filmimet në fjalë ia dërgonte bashkëshortit të saj në burg, çka nxiste konflikt mes çiftit. I burgosuri i hakërrehej së shoqes që të mos dilte kurrsesi nga shtëpia. E gjitha kjo situatë e detyroi kunatën që ta denonconte Eredet Çapokun për përndjekje dhe dhunë, çka solli një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje. 34-vjeçari e kërcënonte të ndjerën që ta hiqte denoncimin, përndryshe do ta vriste, kërcënim të cilin e finalizoi mbrëmjen e djeshme.