Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina thotë se shefja e shtetit vazhdimisht e ka përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fjalimet e saj. Sot gjatë ditës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se Vjosa Osmani qëllimisht nuk e ka përmendur UÇK-në në postimin e saj për Betejën e Koshares.
Sipas Molliqajt, Vjosa Osmani nuk lë rast për ta shmangur UÇK-në. Por, Bekim Kupina, këshilltar për media i Komandantes Supreme të FSK-së, në një prononcim për Gazetën Express mohoi që presidentja Vjosa Osmani s’e përmend UÇK-në.
“UÇK-në, presidentja e ka përmendur vazhdimisht në të gjitha fjalimet e saj që i ka pasur, s’ka asnjë telashe në atë plan. Mundeni me i pa edhe vet”, tha Kupina.
Sot kur po shënohet 22 vjetori i Betejes së Koshares, treshja e institucioneve më të larta të vendit, presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca bënë homazhe tek kompksi memorial në Koshare.
Postimin për Betejen e Koshares nga ana e presidentes Vjosa Osmani e ka kritikuar kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Ai ka thënë se Osmani qëllimisht se ka përmendur UÇK-në në postim për ta lënë në harresë.
“Vjosa Osmani nuk është në nivelin e detyrës unifikuese të presidentit. Kjo jo vetëm për rolin e saj përçarës politik në të tashmen. Ajo po i rikthen problemet e të shkuarës. Mezi ishte arritur një pajtim tejpartiak që kur flasim për luftën flasim në radhë të parë për UÇK-në. Ajo nuk lë rast pa e shmangur, pa e munguar UÇK-në. Kur UÇK-ja është në akuzë, ajo ka zgjedhur shmangjen, harresën e qëllimshme. Roli i saj revizionist karshi ngjarjes UÇK i shkon fort për shtati liliputëve si Kurti që i flasin tërë jetën historisë, vetëm për t’u bërë vëzhgues i saj në momentin kyq, kur ndalet koha dhe hapet fusha”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.