Fjalë Kyçe

Kroos: Kemi probleme shumë më të mëdha se të shikojmë futboll përsëri

Kroos: Kemi probleme shumë më të mëdha se të shikojmë futboll përsëri

Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos, ka thënë se ekzistojnë probleme tjera shumë më të mëdha se të shikosh futboll, pasi ai dhe bashkëlojtarët e tij janë në karantinë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Lojtarët e Madridit janë secili në shtëpitë e veta momentalisht, si masë parandaluese sepse një numër i ekipit të basketbollit të Madridit është infektuar me Covid-19, transmeton Gazeta Express.

Këto dy ekipe i ndajnë të njëjtat objekte ushtrimesh në kryeqytetin spanjoll, përfshirë edhe mensën dhe ndërtesën e hidroterapisë, që nënkupton se edhe lojtarët e Zinedine Zidane mund të jenë infektuar.

Qendra stërvitore e klubit është mbyllur pas njoftimit dhe La Liga i pezulloi ndeshjet pastaj, duke u thirrur në karantinën e Real Madridit si njërën nga arsyet kryesore për këtë.

Duke folur online për emisionin televiziv gjerman “Late Night Berlin”, Kroos e shpjegoi gjendjen aktuale të bashkëlojtarëve.

“Yjet e Realit në karantinë, kjo gjithmonë tingëllon keq, por ne jemi thjesht në shtëpi”, tha 30-vjeçari.

“Gjithçka është në rregull. Ata më të drejtë na dërguan në shtëpi sepse ishte një rast pozitiv me koronavirus në mesin e lojtarëve tonë të basketbollit, me të cilin ne nganjëherë punojmë shumë afër”, shtoi Kroos.

“Unë dhe familja ime jemi mirë. Nuk kemi simptoma. Me tre fëmijë në shtëpi nuk mërzitesh kurrë. Askush nuk e di se kur do të rikthehet futbolli. Por duhet sinqerisht të thuash se futbolli është dytësor”, theksoi ai.

“Gjëja kryesore tani është ta mposhtim këtë kundërshtar dhe t’i kthehemi normalitetit. Ka shumë probleme të tjera më të mëdha se të shikosh futboll përsëri”, përfundoi ai.