Fjalë Kyçe

Kryeministri Italian: Maska dhe distancim derisa të dalë vaksina

Kryeministri Italian: Maska dhe distancim derisa të dalë vaksina

Kryeministri Italian Giuseppe Conte deklaroi se mbajtja e maskave dhe distancimi social do të jenë të detyrueshme derisa të gjendet vaksina për Covid 19 apo një terapi efikase kundër sëmundjes.

Conte paraqiti një listë me pesë pika që përmblidhnin planin e përgjigjes së qeverisë së tij ndaj krizës shëndetësore. Aty hyjnë përforcimi i shërbimeve të parandalimit për të shmangur përsëritjen e rasteve si ato të shpërthimit të infektimeve në azilet e pleqve; vendosja e strukturave të kushtuara ekskluzivisht trajtimit për koronavirus; një plan hetimi epidemiologjik i bazuar në testet sierologjike dhe aplikacioni I gjurmimit të imunëve, që do të shkarkohet në bazë vullnetare.

Conte sqaroi se plani i kabinetit të tij duhet t`i vijë në ndihmë lehtësimit të masave kufizuese që përfundojnë në 4 maj. “Shumë qytetarë janë të lodhur dhe do të donin një zbutje të këtyre masave apo dhe shfuqizimin e tyre të plotë. Unë do të doja të jem në gjendje të them – le të rihapim gjithçka. Menjëherë. Do të fillojmë nga nesër. Por kjo do të ishte e papërgjegjshme”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se “nuk jemi të pandjeshëm ndaj nevojave të sistemit prodhues, por duhet kujdes. Ai shtoi se njerëzit do të nxiten të shmangin orët e vrullshme apo kohën e pikut të trafikut, dhe “të favorizojnë transportin alternativ”. Në Lombardi, bilanci I vdekjeve u rrit sërish me 203 të tjera brenda 24 orëve të fundit. Në Spanjë sakaq, përhapja e infeksionit vazhdon ngadalësimin, edhe pse ka pasur një shtim të testimeve. Në Austri situata duket mjaftueshëm mirë, aq sa qeveria ka vendosur të lejojë hapjen e bareve, restoranteve dhe kishave në 15 maj, nëse numri i të infektuarve me koronavirus nuk rritet sërish deklaroi kancelari Sebastian Kurz.

Vendi i mbylli përpara më shumë se një muaji restorantet, teatrot dhe dyqanet jo të domosdoshme. Austria ishte ndër të parat që I lehtësoi masat e izolimit për qendrat e kopshtit dhe dyqanet më pak se 400 metra katrorë. Qendrat tregtare, parukeritë dhe dyqanet tjera të mëdha do të hapen në 1 maj. Britania e Madhe ndërkohë vazhdon të përpëlitet me 823 viktima të shënuara brenda 24 orëve të fundit nga koronavirusi; ky bilanc shënon një tjetër rritje krahasuar më rënien e numrit të vdekjeve që u pa gjatë fundjavës. Këshilltarët e qeverisë po mblidhen të diskutojnë nëse mbajtja e maskave duhet të jetë e detyrueshme.