Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për artikujt e fundit të gazetave gjermane ku thuhet se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do arrihet në qershor të këtij viti dhe ndarja mes këtyre dy shteteve, do jetë vija etnike.
Ai tha se Kosova nuk guxon të bëjë këso eksperimentesh me territoret dhe kufijtë e saj, duke i quajtur ato artikuj si spekulime.
“Nuk ka eksperimente me Kosovën. Pra nuk do bëhen eksperimente të tilla me kufi e as territore. Kosova është një dhe e 17 shkurtit dhe ne njohim vetëm një kushtetutë kushdo tjetër që tenton kundër është duke bërë shkelje të Kushtetutës dhe ligjore dhe do ndoqën penalisht”, tha Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit shtoi se kufiri administrativ Kosovë-Serbi është trashëguar me pavarësinë e Kosovës.
“Kosova ka kufijtë me Serbinë në tërë gjatësinë kufitare ruhet kufiri në dy anë, NATO e din këtë. Kushtetuta e Ish Jugosllavisë ka thënë qe kufijtë e republikave nuk mund të ndryshohen pa dakordimin e dy palëve. Pra kufiri administrativ Kosovës Serbi është po ai kufi në të cilin e ka marrë përgjegjësi NATO në vitin 99 e të cilin ne e kemi trashëguar me pavarësi, të gjitha të tjerat janë spekulime”, shtoi Haradinaj, raporton EO.
Sipas Haradinajt, Kosova në qershor të këtij viti pritet ta gëzojë liberalizimin e vizave.
“Çdo herë është mundur një marrëveshje por jo një marrëveshje tjetër përveç në kufijtë ekzistues. Ne po shkojmë kah liberalizimi, po shpresoj që në qershor të këtij viti do ta marrin atë që është e drejtë e jona pra liberalizimin e vizave”, tha Haradinaj.
Gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau”, ka shkruar se ndarja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vija etnike është marrëveshje e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Këto komente, Haradinaj i bëri para gazetarëve pas Akademisë Përkujtimore me rastin e 29-vjetorit të vrasjes së heroit Enver Hadri.