Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka kritikuar Brukselin zyrtar për mosreagim pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës të platformës për dialogun me Serbinë.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se shteti i saj nuk ka ndonjë përgjigje sa i përket platformës së dialogut që ka miratuar Kosova, transmeton lajmi.net.
Siç shkruan televizioni publik serb, Bërnabiq ka thënë se nuk është koha që Serbia të jap një përgjigje zyrtare për këtë platformë, por duhet ta bëj Brukseli një gjë të tillë e që siç tha ai, akoma nuk e ka bërë këtë.
Bërnabiq po ashtu ka thënë se Brukseli zyrtar ende nuk ka thënë asgjë as për platformën dhe as për gjendjen aktuale dhe për intensifikimin e mëtejshëm të Kosovës.
Tutje ajo ka hedhur kritika në drejtim të Brukselit duke thënë se platforma që ka miratuar Kosova është një marrëveshje në vete dhe se sipas Bërnabiqit, Brukseli është dashur të reagoj për këtë çështje, transmeton më tutje lajmi.net.
“Nuk është e drejtë që Brukseli të mos reagojë për platformën, sepse është një dokument që thotë se nuk është e mundur një dialog i mëtejshëm, sepse Brukseli është ai në kuadrin e të cilit duhet të punojë dialogu dhe garantuesi i Marrëveshjes së Brukselit. Pres përgjigjen e Brukselit”, tha Bërnabiq.
Duke e parë këtë situatë Bërnabiq ka thënë se për këtë arsye as Serbia akoma nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar sa i përket platformës së Kosovës.
Ajo ka thënë se platforma jo vetëm që vë në pikëpyetje çdo lloj dialogu dhe mundësinë e arritjes së një kompromisi, por gjithashtu vendos marrëveshjen e Brukselit mbi këtë akt.
“BE-ja është garantuese dhe nënshkruese e Marrëveshjes së Brukselit, kështu që mendoj se është e drejtë të dëgjojmë prej tyre për atë që Prishtina zyrtare tha se nuk është kompromis, se nuk ka mundësi për dialog dhe se do të braktisë atë, si dhe asgjë nuk do të implementohet”, tha Bërnabiq.