Fjalë Kyçe

Kryeqyteti ka paguar para 9 muajve për shërbimet që do të duhej të nisnin në janar, e që s’kanë nisur

Kryeqyteti ka paguar para 9 muajve për shërbimet që do të duhej të nisnin në janar, e që s’kanë nisur

“Me kënaqësi i informoj qytetarët se gjatë janarit do të hyjë në funksion pakoja e shërbimeve digjitale e-Leja, e-Përcjellja, e-Nënshkrimi”, pati shkruar në një postim kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, më 4 janar të këtij viti, ku pati njoftuar se procesi i aplikimit me leje ndërtimore do të digjitalizohej gjatë muajit janar.

E në dhjetëditëshin e fundit të muajit maj këto shërbime ende nuk janë digjitalizuar.

Tenderin për to e ka fituar konsorciumi i përbërë prej kompanive “Anarch” e “Ardi Ç” në kuadër të “Shërbimit të arkitektit të qytetit”.

Moduli “e-Leja” ekziston qe rreth 5 vjet, donacion i një kolegji privat për Komunën.

Në kontratën “Shërbimi i arkitektit të qytetit” thuhet që i gjithë ridizajnimi, riprogramimi dhe funksionalizimi “e-Leja” do t’i kushtojnë Komunës së Prishtinës 44 mijë e 550 euro.

Në bazë të faturave e raportit të pagesave del që ky shërbim është paguar cent për cent në fundin e muajit shtator të vitit të kaluar.

Komuna e Prishtinës qe rreth një javë nuk ka treguar se pse nuk është funksionalizuar shërbimi.

Ky konsorcium ka për detyrë edhe programimin e modulit “e-Përcjellja”.

Edhe për këtë shërbim kryetari Rama ka thënë që do të hynte në funksion në muajin janar, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në kontratë thuhet që kompania do ta programojë këtë modul për 17 mijë e 820 euro.

Në bazë të faturave shihet se këto para i ka paguar Komuna para rreth 9 muajve, por shërbimi nuk ka filluar.

Edhe për këtë çështje KOHA qe rreth një javë e ka pyetur Komunën e Prishtinës, por ajo nuk ka ofruar përgjigje.

E një modul tjetër që në bazë të raportit periodik e fletëpagesave është përfunduar e do të duhej të ishte lëshuar në punë është “e-Nënshkrimi”. Ky shërbim ka kushtuar rreth 9 mijë euro. Është paguar në fundin e shtatorit.

Komuna nuk është përgjigjur se pse nuk është lëshuar në punë ky modul edhe pse shërbimi është paguar.

Në kontratën publike dhe në dokumentet përcjellëse nuk shkruan që konsorciumi fitues që përbëhet prej zyrave të arkitekturës ka licencë në Bashkimin Evropian për ofrimin e nënshkrimit digjital.

As komunat një proces të tillë nuk mund ta bëjnë pa koordinim me Ministrinë e Ekonomisë.

Në ligjin për këtë çështje thuhet që Ministria është përgjegjëse “që të mbajë, përditësojë dhe publikojë në formë elektronike listën e ofruesve të kualifikuar të shërbimeve të besuara”.