Kryeredaktori i Koha Ditore, Agron Bajrami propozohet për ambasador në Bruksel
Gazetari Agron Bajrami është propozuar për ambasador të Republikës së Kosovës në Bruksel.
Pas karrierës disavjeçare si kryeredaktor në Koha Ditore, Bajrami tani mund ta nis një tjetër karrierë si diplomat në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, që njihet si qendër e administratës për Evropën.
I kontaktuar nga Gazeta Express, Bajrami nuk ka dashur të flasë për këtë çështje. Për këtë, ai ka thënë se mund të deklarohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sapo është kontaktuar nga Gazeta, Bajrami i ka paraprirë pyetjes, duke thënë që gazeta t’i drejtohet pytjet MPJD-së.
Nga MPJD-ja ende nuk kanë kthyer përgjigje për të konfirmuar se Bajrami është i propozuari për ambasador të Kosovës në Belgjikë.
Në maj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte miratuar një propozim të Qeverisë së Kosovës për lirim nga detyra të ambasadorëve të emëruar politikë. Kosova për disa muaj ka mbetur pa ambasadorë në shumë shtete.
Nga institucionet, thuhej se procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj do të merrnin kohë.
Sipas procedurës, pas propozimit të Mistrisë së Punëve të Jashtme që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës. Ky komision më pas duhet t’i dërgoë emrat në Presidencë, ku presidentja i dekreton.
Në fund, shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri. Kjo procedurë mund të marrë disa muaj kohë.