Fjalë Kyçe

Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve: Në 4 muajt e parë të vitit rreth 200 mijë punëtorë e kanë lëshuar Kosovën

Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve: Në 4 muajt e parë të vitit rreth 200 mijë punëtorë e kanë lëshuar Kosovën

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, tha se mbi 400 mijë të rinj janë larguar nga Kosova në katërmujorin e parë të këtij viti, e që sipas tij kjo nënkupton se rreth 200 mijë kanë qenë punëtorë që e lëshuan vendin.

“Kemi një mungesë të punëtorëve që ua kam thënë me vetëdije, në katërmujorin e parë sipas të dhënave që ne kemi kanë kalu mbi 400 mijë të rinj, e që nënkupton rreth 200 mijë kanë qenë punëtorë që e kanë lëshu Kosovën, kjo dikë e dëmton”, tha Azemi në ‘Tempus’.

Sipas tij, në disa sektorë përfshirë atë të ndërtimtarisë gjendja ka ndryshuar, por që kjo thotë se nuk është meritë e Qeverisë.

“Gati nuk kemi pagë të punëtorëve sidomos në ndërtimtari që ka pagë nën 600 euro, por kjo nuk është meritë as e Qeverisë, por e mungesës së punëtorëve”, tha ai.

Azemi shtoi se po kalojnë një periudhë shumë të rëndë por që po bëjnë atë që munden.

Pagesën prej 250 euro për punëtorët teknikë, ai e quan “mizerie”, ndërsa tha se Qeveria Kurti i ka sanksionuar.

“Është jashtëzakonisht problematike sepse çështja e financimit tek ne bëhet pak më ndryshe. Tek sfidat e inkasimit ne kemi pasur sepse është Ligji mbi organizimin sindikal i cili në moment që ti ia qet të dhënat e punëtorit të nënshkruar që e obligon pronarin e kompanisë që t’i ndalë mjetet për sindikatë, tani kanë filluar disa pronarë të kompanive ndoshta po them kështu me shtyrjen e institucioneve shtetërore dhe nuk janë duke e bërë këtë. Ne normal që kemi kërkuar nga Inspektorati i Punës që të na ndihmojë në këtë rast”, tha Azemi, duke shtuar se tash e dy muaj nuk kanë marrë përgjigje.

Sipas tij, është premtuar një marrëveshje kolektive por sot e asaj dite punëtorëve të sektorit privat iu cenohet e drejta sepse nuk ka një marrëveshje kolektive.

Kreu i sindikatës së punëtorëve të sektorit privat thotë se ka punëtorë teknikë në Parlamentin e Kosovës që iu ofrua paga 275 euro, e në Universitetin e Prishtinës mbi 250 punëtorë paguhen nga 293 euro.

“Kryesisht te ata punëtorë ku kryhen shërbime përmes kompanive private, kompanitë private marrin punë nga institucionet shtetërore, këtu e kemi gjendjen jashtëzakonisht shumë të rëndë. E thash që tani kemi punëtorë të Parlamentit të Kosovës, punëtorë teknikë që iu është ofruar një pagë 275 euro. Kemi në Universitetin e Prishtinës mbase 250 punëtorë që marrin pagë 292 euro dhe ne pothuajse gati pjesa më dërmuese nga janari deri tash e kemi kaluar me protesta, me greva dhe çka është për ironi 1 muaj ditë qëndruam në grevë në UP dhe sulmin më të madh e kemi pasur se i kemi fut punëtorët jashtëligjshëm, kemi me i dënu…nuk thirrin që të ulemi të bisedojmë”, tha ai.

Në nivele komunale, ai thotë se problemet i zgjidhin më shpejtë, ndërsa ku kanë probleme me Qeverinë është më ndryshe.

Në rast të zgjedhjeve, ai thotë se e ka për obligim që qytetarëve t’ua thotë një fjalë.

“Që Qeveria e Kosovës dhe dikasteret kompetente për punëtorët e sektorit privat e ka mbyt, e ka shkelë”, tha ai, rapoton Betimiperdrejtesi.