Në Komunën e Malishevës, deri më tani janë gjithsej 21 persona të prekur me COVID-19.
Tashmë e gjithë komuna është në karantinë, mirëpo niveli qendror duket se nuk po interesohet se çfarë po ndodhë me qytetarët e tjetër të kësaj komune dhe me familjarët e të prekurve.
Në lidhje me këtë, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Insajderi, ka folur kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj.
Ai ka thënë se nuk janë furnizuar mjaftueshëm me masat mbrojtëse të koronavirusit siç janë: maska, doreza, veshje speciale, syze…
“Furnizimet janë minimale, nga data 23 jemi furnizuar me 100 maska, 110 veshje, syze e doreza, janë shumë të pakta për komunën tonë. Vetëm në Qendrën e Mjekësisë janë 150 punëtorë dhe këto furnizime janë të pakta. Unë kam apeluar dhe u kam thënë që këtë gjendje nuk mundet ta kalojë Malisheva vetëm. Ne e kemi bërë kërkesën por edhe pa kërkesë ata janë në nivelin e ekspertëve dhe duhet ta dinë si menaxhohet kjo situatë”, ka thënë për Insajderin i pari i Malishevës.
Tutje ai ka treguar se janë gjithsej 21 persona të prekur me koronavirus në këtë komunë, që vijnë nga 6 familje të ndryshme nëpër fshatra të ndryshme. Begaj, ka treguar se shumë familjarë të këtyre të prekurve kanë kërkuar që t’u bëhen analizat mirëpo kjo ende nuk ka ndodhur.
“21 anëtarë i kemi të prekur nga 6 familje dhe kjo me të vërtetë është shqetësuese. E gjithë Malisheva është në karantinë, neve na kanë izoluar dhe nuk di si do ia dalim. Tash të gjithë janë të infektuar nga kontakti me njerëz, është një rast që ka ardhë nga Italia dhe tash të gjithë janë infektu. Bëjë apel tek ato familje pasi që e dinë me kënd kanë pasur kontakte, që të na japin adresat e njerëzve dhe t’i izolojmë”, ka theksuar Ragip Begaj – kryetar i Komunës së Malishevës.