Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, i cili është edhe kryetar i Pejës, ka thënë se Qeveria e Albin Kurtit “po i gënjen qytetarët që po punojnë më lirë”.
Muhaxheri ka folur për rastin e autostradës së Dukagjinit, që Qeveria ka preferuar zgjerimin e rrugës ekzistuese e jo ndërtimin e autostradës.
Sipas tij, zgjerimi i rrugës nuk kushton më lirë, sepse vetëm një segment kushton 40 milionë euro.
“Rrugën e vjetër duhet të shpronësohet prapë, të zgjerohet prapë dhe kryeministri ka thënë se do të na kushtojë më lirë. Pse ka me na kushtuar më lirë se ajo ka qenë e projektuar më shtrenjtë dhe tash kanë thënë hajde ta bëjmë një segment, dhe po ua shesin qytetarëve si ne kemi me punuar më lirë. Çka ke me punuar më lirë, e ke vendosur vetëm një segment 40 milionë euro dhe ende nuk e ke nis”, ka thënë ai në T7.
Sipas tij, kjo Qeveri s’ka njerëz e as program.
“I kanë besuar liderit që mund t’i kryejë punët me shkop magjik, por po shihet që s’ka shkop magjik. Problem i parë i kësaj qeverie ka qenë që nuk kanë pasur program dhe pastaj u pa që nuk kanë as njerëz për të qeverisur. Për 4 vjet këta nuk kanë bërë asgjë, sidomos në infrastrukturë”, tha Muhaxheri.